Tre vjet më herët, më 26 shkurt të 2016-s, Hashim Thaçi arriti të bëhej president i Kosovës, me votat e Isa Mustafës, nën gaz lotsjellës brenda Kuvendit e kundërshtime e protesta jashtë.
Tre vjet pas, njeriu që nga partitë në pushtet atë kohë u votua për të qenë unifikues, po akuzohet çdo ditë si përçarës i madh dhe se po e vë në pazar territorin me idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë.
Deputetët që atë kohë e kundërshtuan zgjedhjen e Thaçit drejt ngjitjes në krye të shtetit, thonë se ai nuk e përfaqëson unitetin e popullit, raporton televizioni KTV.
Për tri vjet në pozitën e presidentit Thaçi kurrë nuk arriti të plotësojë provisionin kushtetues që të jetë personifikim i unitetit të shtetit dhe qytetarëve, përkundrazi, polarizoi dhe rriti si askush më parë përçarjet e thella në popull dhe në spektrin politik. Mbase e ka marrë si mision nga ku me dit kush, shkatërrimin e plotë të shtetit që lindi me aq shumë sakrifica.
Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje e quan fatkeqësi që Kosova e ka një president që bën lojë me territorin. Por, Haxhiu thotë se do ta ndalin me çdo kusht projektin e tij të dëmshëm, me kundërshtime në Kuvend e me protesta nëpër sheshet e kryeqytetit.
Në AAK thonë se secili zyrtar institucional e ka për detyrë të mbrojë Kosovën dhe integritetin e saj territorial, në kufijtë e saj që ishin në kohën e shpalljes së pavarësisë.
Për Nismën Socialdemokrate, Thaçi nuk është shquar asnjëherë për qasje unifikuese, as kur ishte opozitë e as pozitë.
Hashim Thaçi la pozitën e kryeministrit dhe pas një krize të gjatë politike, arriti të marrë 71 vota vetëm në rundin e tretë të votimit për t’u zgjedhur president i Kosovës. ktv /©Kabllogrami/