Thaçi: Mbledhja e jashtëzakonshme e KS të OKB-së në situatë krejt të zakonshme në Kosovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit në OKB, të thirrur nga Rusia me insistim të Serbisë për Ushtrinë e Kosovës se kjo është seancë e jashtëzakonshme në situatë krejt normale, raporton Kabllogrami

Thaçi ka thënë se Ushtria e Kosovës është krijuar me qëllim paqeje e jo lufte apo nxitje urrejtje. Ai ka shtuar se asnjë dokument nuk e ndalon krijimin e Ushtrisë së Kosovës dhe se ushtria e Kosovës do të jetë e të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve të Kosovës.

Duke folur për herë të parë për taksën ndaj mallrave serbe, Thaçi përmendi “presionin e ndyrë të Serbisë kundër Kosovës për pranim në Interpol”.

“Asgjë e jashtëzakonshme s’ka ndodhur në Kosovë javën e kaluar. Në fakt ajo që ndodhi ishte vendim krejt normal. I drejtë, me mision dhe qëllim. Nëse Kosova ka bërë gabim është sepse ka pritur pesë vite pa nevojë për themelimin e Ushtrisë. Vendimi për Ushtrinë është i vonuar e assesi i gabuar. Është i vonuar sepse kemi pritur vullnet të mirë nga ata që deri më tani nuk e treguan në raport me shtetin e Kosovës. Por tani Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur ka marrë veprim të hapur për ushtrinë. Çka ka të jashtëzakonshme këtu? Asgjë fare”, ka thënë Thaçi ndër të tjera.

 

Në vijim mund të lexoni fragmente nga fjalimi i Thaçit:

“Kam nderin që jam këtu para jush. Dua të falënderoj Kombet e Bashkuara dhe Këshillin e Sigurimit për vëmendjen në Kosovë e rajon. Kurrë s’do të harroj që në momentet më të rënda nga ky forum u dhanë zëra shprese dhe paqeje.

Kurrë unë dhe populli im s’do të harrojë që ju u kthyet në zërin tonë.

Falë jush u kuptua për dhunën, spastrimin etnik, mijëra qytetarë që s’janë më në mesin tonë, mijëra të zhdukur e 20 mijë gra viktima të luftës që jetojnë akoma me stigmën e dhunës nga Serbia.

Mbi dy dekada pas luftës dhe 10 vjet pas pavarësisë jemi këtu. Të thirrur në një seancë të jashtëzakonshme në një kohë krejt normale.

Rezoluta 1244 i referohet vetëm demilitarizimit të UÇK-së, proces i mbyllur më shtator 1999. Proces i vlerësuar lartë nga KS dhe Kofi Anan, edhe nga NATO dhe kjo mbështetet nga dëshmitë e asaj kohe. Së dyti, Pakoja e Ahtisarit, që ishte i dërguari i posaçëm për negociata lidhur me statusin final të Kosovës, në nenin 52 nënvizon qartë të drejtën e Kosovës për të pasur Ushtri. Në fund vijon më e rëndësishmja, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që është marrë me kërkesën e shtetit serb, ish-ministrit Vuk Jeremiq. Nënvizoi qartë, si loti, që Kosova nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë dhe rrjedhimisht është e drejtë të ketë ushtri.

Me vendim unanim politik nga të zgjedhurit e popullit u bë ushtria, i pëlqeu dikujt apo jo. Shteti i Serbisë u paraqit i zemëruar, por jo edhe qytetarët serbë të Kosovës.

Si president dhe komandant suprem u them troç se ushtria sjell më shumë paqe dhe stabilitet. Ky hap nuk është mesazh kundër askujt. Ushtria e Kosovës nuk është dhe s’do të jetë kërcënim ndaj askujt. Është dhe do të mbetet profesionale e shumetnike. Mbi 10 për qind e ushtarëve janë nga komunitetet joshumicë, serbë, malazezë, kroatë, turq, rom, egjiptasë, ashkali e të tjerë. Do të mbrojë çdo qytetar në gjithë territorin, pavarësisht gjuhës që flasin në shtëpi.

Populli im për shkak të kaluarës së hidhur gjithmonë ka pasur frikë nga uniforma ushtarake deri më 1999. Sepse historikisht ishte e huaj dhe fytyrë represioni. Por ushtarët e Kosovës janë të paqes.

Kërcënimi i vetëm që i vjen rajonit janë thirrjet irracionale për konflikt dhe luftë nga fqinji ynë verior.

Kosova e ka kthimin më të lartë të të zhvendosurve dhe atë në kohë rekorde. Mbi 1 milionë qytetarë të Kosovës të dëbuar nga aparati shtetëror i Millosheviqit janë kthyer më 1999 në shtëpitë dhe pronat e tyre. Më vjen keq që disa pjesëtarë serbë të FSK-së janë detyruar dhunshëm të japin dorëheqje si rezultat i presionit sistematik nga shteti i Serbisë.

Ishin rrëqethëse rrëfimet e disa pjesëtarëve që kanë përjetuar dhunën nga shteti i Serbisë. U janë sulmuar familjarët, janë gjuajtur shtëpitë e shumë prej tyre janë mbajtur për orë të tëra në Serbi. Kjo është me të vërtetë e tmerrshme. Më vjen shumë keq sepse shumica i dorëzuan uniformat me lot në sy e me zemër të thyer.

Sot u garantoj të gjithë se ne nuk do të zmbrapsemi asnjëherë nga përpjekja për të përfshirë të gjitha komunitetet në ushtri.

Kosova do të respektojë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë për bashkëpunim me KFOR-in. Ne do të bashkëpunojmë me NATO-n. Themelimi i Ushtrisë nuk është për të dyfishuar misionin e NATO-s në Kosovë. Përkundrazi, vendimi për Ushtrinë është në funksion të ndërtimit të drejtpërdrejtë të mekanizmave që ta bëjnë vendin tonë të aftë për sigurinë lokale e më gjerë.

Qëllimi jonë është që të bëhemi kontribuues të paqes dhe stabilitetit. Por kjo s’ndërhyn në misionin aktual të NATO-s në Kosovë, përkundrazi vetëm do ta ndihmojë dhe vlerësojë atë. KFOR-i shihet si mision shpëtimtar. Akoma u dhurojnë lule qytetarët e përjetë do të jenë falënderues.

Jam krenar që jam president i vendit më pro-NATO dhe pro-Bashkimit Evropian në botë.

Kjo na kthen në çështjen në fjalë. Problemi që ka sjellë Serbia sot nuk është Ushtria, por ekzistenca e shtetit të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

Pa dialog dhe marrëveshje finale ne shndërrohemi në vende që prodhojnë drama pa fund për konsum elektoral. Ju lutem vetëm hidhni një sy fushatës së ndyrë që Serbia ushtroi kundër Kosovës në Interpol. Kush ftoi nga ai mosanëtarësim. Vetëm krimi i organizuar e terrorizmi. A unë të denigroj që të përdor qasjen e tyre? Jo.

Është e natyrshme që u mor masa për mallrat serbe. Kosova nuk e ka provokuar këtë. Prishtina e Brukseli po diskutojnë për këtë çështje.

Jemi të interesuar për paqe dhe dialog me Serbinë. Për këtë qëllim javën e kaluar kuvendi miratoi rezolutë e Ekip Negociator me përfshirjen pozitë-opozitë e shoqëri civile për dialogun. Situata të tilla do të përsëriten deri të mos kemi zgjidhje.

Ne nuk mbështesim konfliktin. s’kemi shkaktuar asnjëherë konflikt. Gjithmonë kemi luftuar për ekzistencë.

Paqja është detyrimi jonë për fëmijët tanë. Pa konflikte. Kosova është gati. Jemi gati për dialog. Për vendime të vështira, që do të jenë fituese edhe Kosova e Serbia. Por edhe të vetëdijshëm që nëse nuk e shfrytëzojmë këtë moment pësojmë të dyja.

Dy dekada më parë isha në uniformë duke luftuar kundër regjimit të Millosheviqit. Jam krenar. Sot si president jam i vetëdijshëm që kam një sfidë tjetër të madhe përpara. Betejën për paqe për të mbyllur konfliktin shekullor. E di që s’është lehtë. Kërkohen kompromise. S’janë popullore e populliste. Por besoj fuqishëm që një marrëveshje e tillë do të kishte ndikim t madh në rajon. Askush s’do të mund të fitonte vota me urrejtje e populizëm. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse do t’i hapte dyert lidershipit të ri që synon reforma e zhvillim. Besoj në marrëveshjen që dy vendet ulen në BBE. Që ushtarët e Kosovës e Serbisë shërbejnë krahas njëri-tjetrit në misionet paqeruajtëse. Besoj sepse e kam përjetuar të pabesueshmen para syve të mi. Frymëzohem çdo ditë nga sportistë kosovarë se kthimi është i mundshëm. Frymëzohem nga gazetarët që më kritikojnë çdo ditë e më bëjnë më të mirë.

Besoj në të ardhmen e rajonit në Evropë. Shpejt në javët dhe muajt e ardhshme me një marrëveshje paqësore finale Kosovë Serbi, pa kufi në baza etnike, pa shkëmbim popullatash, por me njohje të dy shteteve me shoqëritë multietnike.”Kabllogrami/

 

Comments (0)
Add Comment