Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i ka telefonuar Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, për, siç ka thënë ai, t’u ankuar kundër qasjes destruktive të Serbisë e cila po e kushtëzon dialogun me heqjen e taksës ndaj mallrave serbe.
Thaçi, në një postim në Facebook, ka thënë se Dialogu gjithmonë ka qenë i pakushtëzuar nga cilado palë dhe se ky ka qenë dhe duhet të mbetet ende parimi udhëheqës.
“Prandaj, është krejtësisht e papranueshme që Serbia e ka kushtëzuar vazhdimin e tij, duke përdorur si pretekst vendosjen e taksës ndaj produkteve të saj. Pikërisht për t’u ankuar kundër kësaj qasjeje destruktive të Serbisë, sot bisedova përmes telefonit me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini. Me këtë rast shpreha shqetësimin tonë për kushtëzimet e paarsyeshme të Serbisë, të cilat pamundësojnë vazhdimin e dialogut. Por, përkundër mirëkuptimit nga ana e saj, mesazhi ishte i qartë: ‘Dialogu duhet të vazhdojë dhe të dyja palët duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme që pengojnë vazhdimin e tij’”, ka shkruar mes tjerash Thaçi në faqen e facebook-ut të tij, duke kërkuar edhe heqjen e menjëhershme të taksës për siç thotë ai, “ta hjekur pretekstin që po e shfrytëzon Serbia për bllokimin e dialogut”. /©Kabllogrami/