Terroristët e frymëzuar nga ‘Kryqtarët’ e Serbisë

Shkruan: Muhamet Hamiti

Brenton Tarrant, që vrau 49 njerëz në Zelandë të Re, dhe Anders Breivik, që kishte vrarë 77 njerëz në Norvegji në vitin 2011, janë indinjuar nga ndihma e Perëndimit për shqiptarët e Kosovës në vitin 1999.

Terroristi australian Brenton Tarrant, që vetë a me bashkëpunëtorë, vrau së paku 49 myslimanë në dy xhami në qytetin Christchurch të Zelandës së Re, më 15 mars 2018, ka thënë se është frymëzuar nga Anders Breivik-u, terroristi tjetër, që vrau 77 njerëz në Osllo dhe rrethinë më korrik të vitit 2011.

Teksa përpiqej të distancohej nga ideologjia e Knights Templar (ose rendi Tempullarëve të Solomonit, siç është quajtur rendi ushtarak katolik, i pranuar nga një Papë, i ndaluar nga një tjetër Papë në fillim të mileniumit të kaluar), Breivik-u kishte thënë gjatë gjykimit se kishte mëtuar një identitet të ri. Ky identitet “në një mënyrë, është importuar nga Serbia”, ka thënë ai. Serbët që luftuan dhe vdiqën gjatë sulmeve të NATO-s në Kosovë në vitin 1999 kishin një mentalitet të “kryqtarit” (pjesëmarrësit të Kryqëzatës), një mentalitet që e synonte ai, ka thënë Breiviku më tej në gjyq.

Po t’i hedhësh sy manifestit prej 1500 faqesh të Breivik-ut me titull “2083: Një Shpallje Evropiane e Pavarësisë”, që e kishte botuar me pseudonimin “”Andrew Berwick”, sheh se ai kishte një obsesion të çuditshëm me Ballkanin. Një kërkim tregon se fjala/emërtimi “Kosovë” del 143 herë, ‘serb’ 341 herë, “Bosnja” 343 herë dhe “Shqipëria” 208 herë. “Srebrenica” – vendi i masakrës së serbëve të Bosnjës ndaj 8000 boshnjakëve nuk shfaqet në dokument fare, shkruante magazine “The Economist” në vitin 2011, që kishte analizuar në hollësi manifestin.

Breivik-u ka shkruar se bombardimi i Serbisë nga NATO-ja gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999 kishte qenë motiv kryesor për sulmin e tij në Osllo, sepse “ishte krejtësisht e papranueshme” që qeveritë e SHBA-ve dhe të Evropës “kishin bombarduar vëllezërit tanë serbë”.

Terrorist Brenton Tarrant, 28 vjeçar, që veten e quan “eko-fashist nga natyra” (Eco-fascist by nature), ka postuar po ashtu një manifest 70 e sa faqesh në vigjilje të masakrës së sotme në Zelandë. Në manifest ai thotë se “frymëzimin e vërtetë” e ka marrë nga Anders Breiviku, me të cilin kishte pasur “një kontakt të shkurtër” dhe prej të cilit kishte marrë “bekimin” për sulmin e sot. (S’dihet nëse dhe si e kishte kontaktuar Brevikun).

I adhuruari i Tarrant-it del të jetë Sir Oswald Mosley (1896-1980), deputet britanik në vitet njëzetë të shekullit të kaluar, që formoi “Unionin Britanik të Fashistëve” më 1932.

Në manifestin e vet, duke folur për luftën e Kosovës, terroristi australian pohon se “Forcat e SHBA-ve/NATO-s kanë luftuar në anën e myslimanëve dhe kanë masakruar evropianët e krishterë që përpiqeshin të largonin pushtuesit islamikë nga Evropa”.

Në armën e vet gjysmë-automatike Tarrant-i kishte emra të serbëve (Millosh Obiliq, etj) që kanë luftuar kundër otomanëve në Betejën e Kosovës të vitit 1389.

Në xhirimin e gjallë të nisjes së aksionit të tij terrorist sot, që e ka transmetuar vetë, Tarrant-i paraqitet duke dëgjuar një këngë që madhëron Kasapin e Bosnjës, liderin e serbëve atje, Radovan Karaxhiqin, i dënuar për krime lufte e gjenocid në Bosnjë.

“Ujqit po vijnë, ruajuni ustashë e turq”, thuhet në tekstin e këngës, duke iu referuar luftëtareve nacionalistë kroatë dhe myslimanëve të Bosnjës. “Karaxhiq, priju serbëve tu. Priju serbëve tu. Çdokush duhet ta shohë se ata s’i frikësohen askujt”. Kënga vazhdon tutje: “Në mbrojtje të popullit serb…duke luftuar për lirinë tonë të dashur, lirinë tonë të dashur”.

Ndonëse dy gjykata ndërkombëtare, duke përfshirë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, kanë konstatuar se në Srebrenicë është kryer gjenocid në vitin 1995, Serbia e sotme ende refuzon ta pranojë se ka ndodhur gjenocid atje. Kryeministresha serbe Bërnabiq ka thënë se është kryer krim atje, por jo gjenocid.

Shefi i saj, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, mbahet mend si njeri që, po atë vit, më 1995, duke folur si deputet në Kuvendin e Serbisë, i drejtohej bashkësisë ndërkombëtare me kërcënimin: “Do të vrasim 100 myslimanë [të Bosnjës] për një serb që do të vrani ju nëse sulmoni pozitat [ushtarake] serbe [në luftën e Bosnjës]”.

Serbia nuk është demillosheviqizuar. Aleksandar Vuçiqi dhe ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ministra të kabinetit qeveritar të Millosheviqit gjatë luftës së Kosovës, e madhërojnë Kasapin e Ballkanit sa herë ua do qejfi.

Gjatë një vizite në Mitrovicë vitin e kaluar, Presidenti serb Vuçiq e quajti Millosheviqin “lider të madh serb, që kishte qëllimet më të mira”, por jo rezultatet. Qëllimet e Millosheviqit kanë qenë spastrimi etnik i Kosovës dhe krijimi i Serbisë së Madhe.

Përkundër kësaj deklarate, madje mbas kësaj deklarate, diplomatë perëndimorë, në përpjekje për ta kandisur Vuçiqin, këtë autokrat dhe ithtar të papenduar të Millosheviqit e kanë quajtur “lider të guximshëm”.

Tash e njëzet vjet mbas luftës së Kosovës, kur Serbia vrau mbi 13.000 shqiptarë, përdhunoi 20.000 gra dhe përzuri dhunshëm nga vendi më shumë se një milion shqiptarë, establishmenti politik i Serbisë vazhdon të mohojë krimet dhe politikën gjenocidale ndaj shqiptarëve.

Kryqtarët e Serbisë kundër Kosovës, për fatin e keq të Kosovës dhe të botës së civilizuar, vazhdojnë të frymëzojnë terroristë si Anders Breivik dhe Brenton Tarrant gjithandej globit. Viktimat e tyre, njerëz me ngjyrë a pa ngjyrë, të krishterë e myslimanë. Njerëz.

Ne, shqiptarët e Kosovës, jemi me zemër me familjet e viktimave të Christchurch-it dhe me gjithë popullin e Zelandës së Re, një vend mik i Kosovës.

Muhamet Hamiti, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka qenë ambasador i parë (jorezident) i Republikës së Kosovës në Zelandën e Re nga viti 2010 deri më 2012.

 

Comments (0)
Add Comment