Nga një repart ushtarak në Qipro kryeministri grek Aleksis Tsipras i ka çuar një mesazh presidentit turk Erdogan që deklaroi përsëri se do të vazhdojë kërkimet për gaz natyrore në Zonen Ekonomike Ekzluzive të Qipros, madje duke aluduar se ato kërkime mund të shkojnë edhe në zonën rreth ishullit grek Kastelorizo.
“Kush shkel të drejtën Ndërkombëtare, kush shkel të drejtën e sovranitetit të Greqisë dhe Qipros do të ketë pasoja. Dhe ta dijë që çmimi do të jetë i lartë”- tha me ton kërcënues kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras.
Më heret para grupit parlamentar të partisë së tij Erdogan ka shpërfillur paralajmerimet e Athinës duke theksuar se do të vazhdojë shpimet derisa sa të realizohet sipas tij shpërndarja e drejtë e hidrokarbureve në Mesdheun Lindor.
“Ne kemi filluar aktivitetet tona të shpimit në Mesdhe me anijet tona dhe do të vazhdojmë dhe përveç kësaj, po e kryejme këtë proçes me Forcat e Armatosura Turke. Kryeministri i Greqisë thotë disa gjëra në ajër. Megjithatë, çfarëdo që të thotë ne nuk e marrim parasysh”- tha me përҫmim presidenti i Turqisë, Erdogan.
Greqia nuk është e vetme – ka qenë përgjigja e kryeministrit grek që ka shtuar se ka në krah të Drejtën Ndërkombëtare, BE-në dhe aleatet e saj dhe se kërkimi i anijeve turke në ZEE të një shteti që nuk ka force detare ushtarake, si Qipro, është shenjë dobësie.
“Mirë do ishte që këto shkelje të së Drejtës Ndërkombëtare të ndalojnë këtu. Sepse do të ketë çmim të lartë edhe në marrëdhëniet euro-turke, por edhe sa i përket paqes dhe stabilitetit të cilat janë synimi ynë për rajonin në tërësi”- tha Aleksis Tsipras.
Greqinë nuk e kërcënon dot askush ka thënë Tsipras edhe në mbrëmjen e së martës në një intervistë televizive duke vazhduar gjuhën e rreptë që karakterizon tashmë deklaratat e liderëve të dy vendeve në një moment delikat të përshkallëzimit të tensionit politik midis Greqisë dhe Turqisë. /©Kabllogrami/