Telekomi punësoi vjehrrin 60 vjeçar të Mërgim Lushtakut, u punësuan edhe pensionistë

Telekomi i Kosovës është bërë strehë punësimi edhe për individë në pensionim apo afër tij, në kohën që kërkohet më shumë inovacion në këtë ndërmarrje.

Një fat i tillë e ka përcjellë Shaqir Qerimin, i cili pak pa i mbushur 60 vjet, u punësua në ndërmarrjen publike, madje si agjent i shitjes, raporton televizioni KTV.

Edhe më mirë për familjen është bërë kur vajza e tij, Shehide Qerimi Lushtaku, u punësua si drejtoreshë e Auditimit, disa muaj më vonë. Ajo është bashkëshortja e deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku.

E, anëtari i Bordit të Drejtorëve në Telekom rastis të jetë Sead Ujkani, i cili është shok i ngushtë i Gëzim Qerimit, që është djali i Shaqirit, respektivisht vëllai i Shehides.

Si drejtoreshë e departamentit të Auditimit, Shehide Lushtaku Qerimi është përgjegjëse për t’u siguruar nëse Telekomi zbaton ligjet dhe procedurat e punësimit.

Në pozitën e rëndësishme, Qerimi – Lushtaku është përzgjedhur nga një komision, pjesë e të cilit ka qenë edhe Sead Ujkani, që është edhe mik i deputetit Mërgim Lushtaku, thuhet në raportimin e KTV-së. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment