Edhe pse kanë mbetur vetëm dy ditë deri në skadim të kontratës mes “Z-Mobile” dhe Telekomit të Kosovës, të dyja palët kanë thënë se janë ende duke negociuar se çfarë do të ndodhë pas 30 korrikut.
Në Telekom kanë bërë të ditur se tashmë ka një vendim që të mos vazhdohet kontrata me kushte të njëjta siç ka qenë kontrata paraprake, por nuk e kanë mohuar vazhdimin e kontratës me këtë kompani, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kundër vazhdimit të kësaj kontrate, Sindikata e punëtorëve të Telekomit ka paralajmëruar se do të hyjë në grevë që nga dita e hënë (sot), fillimisht në qendër, e më pas grevës të martën do t’i bashkohen të gjitha regjionet.
Greva, sipas Sindikatës së punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, do të jetë 24-orëshe. Edhe Lëvizja Vetëvendosje, dy ditë më parë, ka kërkuar nga Bordi i kësaj ndërmarrjeje mosvazhdimin e kontratës me “Z-Mobile”, duke përmendur dëmin që, sipas tyre, i është bërë Telekomit. Ajo ka kërkuar nga Bordi i Telekomit që më së largu deri të hënën të bëjë publik vendimin për shkëputjen e kontratës me “Z-Mobile”.
Në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lahmih Balaj, për KosovaPress thotë se beson që vendimi për 25 milionë euro nuk do të ekzekutohet.
Balaj shton se nga 23 korriku është formuar këshilli i grevave për organizimin dhe grupimin e punëtorëve që më 29 korrik të fillojë të mbahet greva, për të parandaluar në ҫdo formë vazhdimin e kontratës me Z-mobile. /©Kabllogrami/