Tashmë janë mbledhur mbi 10 mijë nënshkrime kundër homologimit, peticioni në Kuvend

Sot në Kuvendin e Kosovës do të dorëzohet peticioni për heqjen e homologimit. Sipas njoftimit të organizatorëve, peticioni është nënshkruar nga më shumë se 10 mijë qytetarë të cilët kërkojnë nga Kuvendi që Ligji për Automjete të ndryshohet dhe obligimi për homologim të hiqet në tërësi.

Sipas tyre, homologimi si i tillë nuk është se ka ndonjë vlerë të shtuar për qytetarin marrë parasysh që shumica dërrmuese e veturave importohen nga shtetet e BE-së. Për veturat që importohen nga shtete që nuk standardet e njëjta si Britania, SHBA etj., verifikimin mund ta bëjë dogana ose edhe kontrolli teknik.

“Nuk ka nevojë që 99% e qytetarëve të paguajnë kot, për shkak se 1%-shi tjetër importon vetura të pastandardizuara. Prandaj rruga e duhur është që obligimi ligjor për homologim të hiqet në tërësi. Për këtë nevojitet që Kuvendi i Kosovës të ndryshojë Ligjin për Automjete”, thuhet në peticion.

Organizatorët thonë se është koha që deputetët të tregojnë se a janë me të vërtetë përfaqësues të popullit apo marioneta të oligarkëve.

Ata shtojnë se arsyeja pse qytetarët paguajnë 125 euro për homologim nuk është për shkak të mungesës së konkurrencës, por për shkakun se Ministria e Infrastrukturës e ka përcaktuar atë çmim./KsP.

©Kabllogrami

Comments (0)
Add Comment