Takohen Haradinaj – Kosnett: Kosova do ta ruajë miqësinë me SHBA-në, por taksa mbetet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, me të cilin ka thënë se kanë biseduar për intensifikimin e angazhimeve në fuqizimin e Kosovës në të gjitha aspektet.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se Kosova mbetet e vendosur të ruajë miqësinë me SHBA-në. Ai megjithatë nuk ka përmendur nëse është folur edhe për taksën ndaj mallrave serbe, por ka shtuar se marrëdhënia mes dy vendeve është e pacenueshme, pa marrë parasysh dallimeve në opinione.

“Kosova mbetet e vendosur në ruajtjen e miqësisë dhe përherë besnike ndaj aleatit të saj strategjik, ShBA-së. Në takim të rregullt pune me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, bashkëbiseduam për intensifikimin e angazhimeve të përbashkëta në fuqizimin e Kosovës në të gjitha aspektet dhe avancimin e agjendës euro-atlantike të vendit tonë. Marrëdhënia e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Amerikës është e pacenueshme, pa marrë parasyshë dallimin eventual në opinione”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa në një prononcim për media sot gjatë ditës Haradinaj, ka përsëritur qëndrimin e tij se Kosova do ta heqë taksën ndaj Serbisë vetëm kur të marrë garanci për marrëveshje përfundimtare për njohje.

Sipas tij, ky është qëndrim i qartë i Kosovës dhe kjo u është bërë e ditur edhe partnerëve që po ashtu kanë qëndrim të qartë duke kërkuar që taksa të hiqet.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj ka thënë se një “sugjerim” të tillë e ka marrë edhe sot në takimin me ambasadorin amerikan Philip Kosnett, por ka shtuar se taksa është e lidhur me njohjen nga Serbia.

“Do t’i mbetem besnik bindjes se ekziston mënyra me e hjekë taksën, por duhet të përgatitet një marrëveshje për njohje mes dy shteteve. Marrëveshja e heq taksën, obligative ligjore për njohje duke shtuar se “Kosovës i ka kushtuar shumë procesi i dialogut qe 20 vjet”. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment