Është mbajtur dje takimi i thirrur nga Federica Mogherini me liderët e vendeve të Ballkanit perendimor. Mungoi vetëm Edi Rama për shkak të telasheve të brendshme që kanë të bëjnë me protestat e studentëve në Shqipëri, transmeton Kabllogrami
Në një prononcim nga zyra e Mogherinit lidhur me Kosovën, thuhet se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mbështesin arritjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi. Një gjë e tillë vet kuptohej që parë edhe pa e thënë Mogherini. Ndër të tjera me fjalë të përgjithshme, nga prononcimet e BE-së thuhet, se është diskutuar për të arriturat dhe telashet e rajonit, për nevojat që ka rajoni dhe për vizionin për të ardhmen etj etj.
Edhe Thaçi, është deklaruar pas takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në Bruksel.
Thaçi paska thënë se ka shprehur dëshpërimin e madh të qytetarëve të Kosovës për shtyrjen e liberalizimit të vizave
“Theksova dëshpërimin e madh që është në Kosovë për shtyrjen e liberalizimit të vizave. Kosova s’ka alternativë tjetër, pos lëvizjes drejt NATO-s e BE-së. Ky vakuum mund të shfrytëzohet nga të tjerët që s’i duan vlerat evropiane. Do të punojmë të gjithë bashkë që të sqarojmë më tepër këtë proces. Kosova ka kryer obligimet e veta. Duhet të merret vendimi në muajt e ardhshëm. Në të ardhmen e afërt besoj se do të ndodhë, ndërsa sa i përket çështjeve tjera, në veçanti me marrëdhëniet me fqinjët, Kosova ka raporte të shkëlqyera me Maqedoninë, Shqipërinë e Malin e Zi”, ka thënë Thaçi.
Bravo për këto risi që tashmë moti i dimë , veçmas na gëzon fakti që Kosova paska raporte të shkëlqyera me Maqedoninë, Shqipërinë e Malin e Zi.
Duke folur për dialogun me Serbinë, edhe Thaçi si Mogherini, ka thënë se kjo temë pati mbështetjen e të gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor.
Pa thënë diçka se ka lënë as kryeministri maqedonas Zoran Zaev. Ai është shprehur se Kosova e Serbia mund ta marrin shembull Marrëveshjen e Prespës.
“Procesi i Prespës mund të jetë një shembull i mirë I zgjidhjes së mosmarrëveshjes midis Beogradit dhe Prishtinës” citohet të ketë thënë Zaev, pas drekës së punës në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini dhe krerët e Ballkanit Perëndimor.
Risi të vjetra këto për publik, e nëse ka ndodhur diç tjetër pas kulisave këtë se kemi kuptuar akoma. Por një gjë e dimë me siguri: Vazhdojmë të mbetemi të izoluar. Vendi i vetëm i izoluar në Evropë. Shqipëria komuniste ishte e izoluar për diku 45 vite, edhe Thaçi i është ofruar bukur mirë këtij rekordi. Edhe pak ditë vjen viti i ri me Thaçin që i bëhen 20 vite në pushtet ose rreth pushtetit. Premtonte tash e 12 vite se vizat do të hiqen, si Thaçi më! Për pushtet s’la gjë pa premtuar, por çka realizoi? Për 10 vjet shtet sa Thaçi po mban pushtet, i vrau ëndërrat dhe perspektivat e popullit për të ndërtuar jetën e tyre në Kosovën shtet që të gjithë me aq gëzim e pritën. I detyroi mbi 200 mijë njerëz të popullit të vet të ikin nga Kosova. E këta që kanë mbetur goxha gjatë i la të izoluar. A do ta këpus Thaçi izolimin e vendit duke cunguar territorin e vendit? /©Kabllogrami/