Surroi për ‘Blic’ të Beogradit flet për Haradinajn, Thaçin e Gjukanoviqin

Thaçi është njeri që i ka bërë vetëm punë të këqija Kosovës, ndërsa Haradinaj është një politikan që ka mësuar vazhdimisht në 20 vjetët e fundit. Kështu i portretizon dy politikanët publicisti kosovar, Veton Surroi, në një intervistë për gazetën serbe “Blic”.

I pyetur se çfarë mendimi ka për presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe a i ngjan ai me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, Surroi thotë se këta dy nuk mund të krahasohen pasi që Gjukanoviq është më i mençur se Thaçi.

“Jo, Milo Gjukanoviq është shumë më i zgjuar dhe më i aftë. Thaçi nuk ka ndonjë vizion të veçantë, veçanërisht një vizion demokratik për ndërtimin e një shoqërie. Nëse ai do të bënte përpjekje për të bërë diçka të mirë, siç e bën për gjëra të këqija, Kosova do të ishte shumë më e begatë”, ka thënë Surroi, transmeton Gazeta Express.

Surroi ka treguar edhe pse ka refuzuar dekoratën e Thaçit vitin e kaluar. Sipas shkrimtarit kosovar, nuk mund të ndajë dekorata nderi dikush që nuk është i nderuar.

“Nuk mund ta pranoj një dekoratë nderi, nga dikush që nuk është i nderuar”, ka shtuar Surroi.

Ndërsa sa i përket Ramush Haradinajt, Surroi e përshkruan si një njeri që ka mësuar vazhdimisht, duke lavdëruar kështu edhe qëndrimin e tij karshi idesë së korrigjimit të kufijve.

“Haradinaj është njeriu që ka tentuar të mësojë në njëzet vitet e fundit. Ai ka ndryshuar në mënyrë intensive në aspektin e edukimit, dhe instinkti i tij është shumë i mirë në atë se korrigjimi i kufijve mund të sjellë dhe konflikte e tragjedi të reja”, është shprehur ai.

Në këtë intervistë ai ka folur edhe rreth krijimit të Gjykatës Speciale, duke thënë se është e qartë që ajo gjykatë do të ketë ndikim në jetën e përditshme politike, dhe veçanërisht në sjelljen e presidentit Thaçi i cili tashmë ndihet i pasigurt.

Sipas tij, këtë e tregon edhe përfshirja e tij në lojën me korrigjimin e kufijve, për të cilën Surroi thotë se është një ide e çmendur.

Ai ka folur edhe për idenë e korrigjimi të kufijve, duke thënë se ka më shumë se një vit që zhvillohen negociata sekrete për diçka të tillë, megjithatë, sipas tij, një ide e tillë nuk dërgon në një zgjidhje.

Ndër të tjera Surroi në këtë intervistë ka folur edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se ajo që ka bërë Beogradi gjatë viteve të 90-ta nuk mund të fshihet. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment