Surroi: Nuk duhet marrëveshje urgjente por cilësore Kosovë-Serbi, këmbimi i territoreve skenar i tmerrshëm

Shkrimtari e publicisti nga Kosova, Veton Surroi ka thënë për FoNet se është shumë më me rëndësi që të bëhet një marrëveshje e qëndrueshme dhe e mirë se sa që procesi të përfundojë shpejt.

Surroi ka sqaruar për Fo Net, se është i nevojshëm një plan i realizueshëm që mund të implementohtet, ndërsa ka thënë se procesi i deritashëm i Brukselit është zhvilluar ashtu siç nuk është dashur, transmeton Koha.net.

“Për këtë nuk mund të fajësohen vetëm Prishtina e Beogradi”, por edhe BE-ja, ka thënë Surroi.

Duke folur për Serbinë, Surroi e ka përkujtuar “riciklimin e gjuhës” nga mbledhja e Tetë e Komitetit Qendror të LK të Serbisë kur flitej për “të ashtuquajturit intelektualë ose për të ashtuquajturit demokratë”.

“Sot në Serbi dëgjohen fjalët i ashtuquajturi shtet, institucione të përkohshme, çdo gjë është e ashtuquajtur dhe nuk ka respekt bazik ndaj tjetrit, ndaj mendimit tjetër”, ka thënë Surroi.

Siç përcjell FoNet, Surroi Kosovën e ka përshkruar si “shtet feudal ku përqendrimi i forcës është në duart e një rrethi të caktuar njerëzish”, ndërsa mendon se “elitat e kriminalizuara kosovare përpiqen që diskursin ta bëjnë më modern se sa që janë vetë”.

Surroi mendon se bisedat duhet ngrehur në nivel më të lartë dhe se këtë e “kanë kuptuar lojtarë seriozë në Moskë, Washington, Londër, Berlin e Paris”.

Ka thënë se ky është edhe kuptimi i mesazhit të nënsekretarit amerikan Davide Hale se tani është “rasti unik që të zgjidhet problemi”.

“Është animuar edhe presidenti amerikan që të përfshihet, të dërgojë letra dhe kjo e krijoi momentumin, derisa pjesë e politikës është edhe momentumi i vërtetë”, ka vlerësuar Surroi.

Ka pohuar se Vuçiqi e Thaçi në ndërkohë janë përpjekur me shpejtësi për këmbim territoresh, gjë që, sipas tij, është skenar i tmerrshëm, i pazbatueshëm, “sepse ne në Kosovë e kundërshtojmë, edhe shumica serbe e edhe shumica shqiptare”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se vizitat dhe këshillimet e shpeshtuara nga shtete të ndryshme tregojnë se ka filluar faza e “ngrohjes për diçka më serioze”.

Çelësi është “bërja e marrëveshjes paqësore ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe gjetja e mënyrës që të mundësohet krijimi i hapësirës së lirisë në gjithë rajonin në vend të hapësirës së konfliktit”, ka theksuar Surroi.

Ai ka thënë ndër të tjera se “është e nevojshme që rajoni të transformohet në një hapësirë të lirë komunikimi, respektimi të ndërsjellë, lëvizjes së lirë të mallrave, konkurrencës së lirë, lirisë së investimeve”. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment