Surroi në Beograd, thotë se ideja e shkëmbimit të territoreve është kthim prapa në kohë

Shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi foli në konferencën “Paradigmë e re për Kosovën dhe Serbinë”, të organizuar nga Forumi për raporte etnike në bashkëpunim me Fondacionin për shoqëri të hapur në Kosovë dhe Serbi.

“Ilustrimi i konfliktit të papërfunduar janë familjet e të zhdukurve. Ende s’ka përgjigje kush i vrau njerëzit, përse u vranë e përse s’janë janë kthyer mbetjet mortore. Andaj, cikli nuk ka përfunduar. Të dyja shoqëritë jemi thellësisht të traumatizuara”, ka thënë Surroi, përcjell koha.net.

Ndërkaq kur u fol për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Surroi përmendi se dialogu është proces i zvarritur që nuk solli rezultate. Ai përmendi negociatat që bëheshin rreth targave, me ç’rast u vendos që simbolet të mbuloheshin me ngjitës, ndonëse as kjo nuk solli rezultate, meqë ministritë përkatëse nuk publikuan asnjëherë ngjitësit.

“Edhe pas 100 vjetësh do të kemi rezultate të njëjta. Po ashtu, nëse vazhdojmë me këtë proces mund të arrijmë në degjenerim. Kemi zgjidhje anti-evropiane, si këmbimi i territoreve”, tha Surroi. Sipas tij, kjo ide është kthim pas në kohë, ide e cila shkakton ndarje etnike.

“Diskursi për shkëmbimin e territoreve ishte i tmerrshëm për njerëzit. Të gjithë e përjetuan shpërbërjen e Ish-Jugosllavisë dhe frika na është futur në palcë. Kur flitet për shkëmbim territoresh ngjallet ideja se diçka e keqe mund të ndodh. Këtë e pamë. E pamë në Kroaci, Bosnje e tani edhe në Kosovë. Kur dëgjojmë presidentet për shkëmbim territoresh pyetja e parë tek kosovarët është ku do të jetë kufiri, nëse shkon kjo komunë a do të shkoj edhe unë, ky është presion psikik ndaj qytetarëve në të dyja vendet”, ka thënë Surroi.

Megjithatë, duke komentuar rreth raporteve mes Kosovës e Serbisë, Surroi tha se edhe në interes të Kosovës do të duhej të ishte Serbia e fuqishme dhe e pasur.

“Kur Serbia është e disponuar për luftë, kjo nuk paraqet problem vetëm për të por për gjithë rajonin” tha ai.

Ndërkaq, nikoqiri i Surroit, kryetari i Këshillit të Forumit për raporte etnike, Dusan Janjiq, konstatoi se dialogu, tash për tash, nuk ekziston.

“Shumica e problemit u ngjall në detaje kur lojtarët u nxehën në muhabetin për shkëmbimin e territoreve dhe në atë moment i harruan njerëzit. Lajmi i mirë është që ideja për shkëmbimin e territoreve nuk pati sukses as në Kosovë as në Serbi e nuk kaloi as tek ndërkombëtarët” .

Konferenca “Paradigma e re për Kosovën e Serbinë” ngjalli interesim të madh mes politikologëve dhe korit diplomatik në Serbi. /koha.net/

Comments (0)
Add Comment