Sot me fillim në orën 21:00, futbollistja e shquar me prejardhje nga Kosova, që përfaqëson ngjyrat e Suedisë, Kosovare Asllani, do të tentojë ta fitojë përballjen kundër Holandës në gjysmëfinale të Kupës së Botës së vajzave, për ta siguruar një vend në finale kundër kampioneve në fuqi, vajzave të SHBA-së.
Holanda dhe Suedia do të takohen sonte në orën 21:00 në stadiumin “Parc Olympique Lyonnais” në Francë për një vend në finalen e Kupës së Botës së vajzave, bën të ditur Kabllogrami.
Futbollistet e Holandës janë kampionet në fuqi të Evropës, pasi e kishin mposhtur Danimarkën në finalen e vitit 2017. Formën e mirë ato e kanë shfaqur edhe në Kupën e Botës, duke arritur deri në gjysmëfinale.
Në anën tjetër, Suedia nuk ka fituar asnjë trofe që nga EURO ’84, por skuadra e trenerit suedez Peter Gerhardssonit po luan mirë, dhe me performancë bindëse e tronditi Gjermaninë në fazën çerekfinale të këtij turneu.
Fituesi i kësaj ndeshjeje do të përballet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në finale, pasi që SHBA-ja e mposhti Anglinë në gjysmëfinalen tjetër, që u zhvillua të martën. /©Kabllogrami/