Sot bëhen 20 vjet nga masakra e Reçakut, që tronditi sërish botën nga barbaria serbe

Sot, 15 janar 2019, janë bërë 20 vjet që kur në Reçak forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të llahtarshme, e njëherit nga më të dhimbshmet kundër njerëzimit, që pas Luftës së dytë botërore në Evropë, shkruan sot Kabllogrami.

Kjo masakër si duket ishte kulmi i dhjetra e qindra masakrave të kryera nga Serbia zyrtare në mënyrën më barbare, gjatë viteve ’90 të shekullit që lam pas (në Kroaci, Bosne e Kosovë), që tronditën kudo botën dhe që më në fund irituan ndërgjegjet e fjetura në rruzull dhe e bindën përfundimisht botën demokratike se duhet ndërhyrë për të ndaluar çmendurinë serbe të gjenocidit.

Në përkujtim të përvjetorit të kësaj masakre, siç bëhet e ditur, nën përkujdesjen e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nga ora 09:00 deri në orën 10:30 u bënë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak, ndërsa më pas u mbajt aktiviteti “Pëllumbat e paqes” mbi Reçak, kurse nga ora 11:00 u zhvillua  Akademia Përkujtimore në “Shtëpinë e Kulturës” në Shtime.

Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë civilë të paarmatosur. Kjo ishte vetëm një nga qindra masakrat serbe ndaj civilëve të pa armatosur të popullit të Kosovës që kishin ndodhur dhe që ndodhën pas saj, por momentumi i kësaj barbarie serbe ka peshë historike, për faktin se më në fund u ndërgjegjësua bota mbarë se duhej ndërhyrë për të stopuar këtë çmenduri serbe./©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment