Zuzana Caputova është presidentja e re e Sllovakisë. Ajo bëri inaugurimin mbrëmë në një ceremoni zyrtare. Zonja Caputova bëhet presidentja e pestë e Sllovakisë që pas shpërbërjes së Çekosllovakisë në dy shtete në 1993.
Presidentja 45-vjeçare ka pak eksperiencë politike por i tërhoqi votuesit me luftën e proklamuar kundër korrupsionit dhe politikave aktuale regresive.
Sa i përket Kosovës, shtrohet pyetja e pashmangshme se a do të ketë zbutje të qëndrimit sllovak rreth njohjes së Kosovës, por sidoqoftë, ndonëse me pikëpamje liberale, roli i presidentes së re do të jetë më tepër ceremonial.
Me profesion juriste, zonja Caputova u bë e njohur për betejën e suksesshme që zhvilloi kundër një landfilli me mbetje toksike në qytetin e saj, Pezinok. Për këtë punë ajo u nderua në 2016 me çmimin prestigjoz Goldman që vlerëson punën për kauza ambientaliste, shkruan VoA.
Presidentja Zuzana Caputova është e divorcuar dhe ka dy fëmijë. Ajo është shprehur pro të drejtave të homoseksualëve dhe është kundër përpjekjeve për të kufizuar të drejtën e abortit, prirje që e bëjnë një politikane shumë liberale në një vend të krishterë si Sllovakia. /©Kabllogrami/