Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka përmendur dy drejtuesit e Vetëvendosjes, Albin Kurtin e Glauk Konjufcën, se qëndrojnë prapa organziatës ‘Syri i Popullit’, pjesëtarë të së cilës janë duke u gjykuar në Prishtinë për plagosjen e avokatit Azem Vllasi dhe përfshirjen në listë për likuidim të shumë figurave politike në Kosovë.
Një nga emrat e përfshirë në këtë listë është edhe vetë Hashim Thaçi, i cili të sot (tё premten pasdite) erdhi në gjykatë në cilësinë e dëshmitarit.
Gjykata ka ndaluar fotografimin dhe xhirimin në kohën sa Thaçi jep dëshminë në seancë.
I pyetur nga prokurori special Sylë Hoxha nëse ka pasur kanosje nga ndonjë individ, Thaçi është përgjigjur pozitivisht.
“Kam pasur indikacione dhe informacione prej autoriteteve, apo miqve të Kosovës që kanë ardhur nga Serbia, kam pasur informim për kanosje ndërsa kanosje të vërtetë kam pasur vetëm nga ‘Syri i Popullit’”, Tha Thaçi.
“Jam informuar nga mekanizmat e sigurisë disa para se të ndodhte atentati ndaj Azem Vllasit”, shtoi ai.
Thaçi tha se ai dhe familja e tij e kanë përjetuar rëndë kanosjen.
“E kam përjetuar rëndë unë dhe familja dhe në të njëjtën kohë janë marrë masa nga shteti”, tha ai.
Duke folur për Sadri Ramabajën, njërin ndër të akuzuarit në këtë grup, Thaçi tha se e ka njohur më parë.
“E njoh Sadri Ramabajën, nga ana ime nuk kam pasur ndonjë mosmarrëveshje me të, ndёrsa nëse ai ka pasur është çështje e tij, por nga shkrimet e tij e kam parë se ka pozicion armiqësor me ne”, tha Thaçi.
Por ai tha se nuk e ka njohur të akuzuarin kryesor të grupit, Murat Jasharin.
“Nuk e njoh Murat Jasharin por kam dëgjuar për të pasi e kam parë në televizion”, tha Thaçi.
Kur u pyet për një listë me pyetje drejtuar atij, të hartuar nga Murat Jashari, Thaçi dha versionin e tij pse nuk është përgjigjur në to.
“Nuk i kam kthyer sepse kam pasur informacione nga miq që e njohin se ai nuk din të shkruajë, por pastaj kam pranuar informacione se pas kësaj organizate kriminale qëndron Sadri Ramabaja, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti”, tha Thaçi.
“Askush nuk ka të drejtë të merrë në dorë rendin dhe ligjin dhe për mua ka qenë shqetësues kërcënimi dhe paralajmërimi për vrasje nga ata që e kanë shpallur tradhtarë edhe Ibrahim Rugovën, Bujar Bukoshin, Isa Mustafën të cilin edhe e kanë sulmuar në shtëpinë dhe familjen e tij kur ka qenë kryëministër”, tha Thaçi.
“Pastaj kanë vazhduar edhe kërcënimet edhe ndaj të tjerëve kur ndodhi edhe plagosja e Azem Vllasit”, tha ai.
Gjatë ditës së sotme kanë dëshmuar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti. /©Kabllogrami/