Fotografia e tij bëri xhiron e gjithë botës, kur ai me dy duart lart, me lot në sy dhe gëzim të madh hidhej xhamave të makinave të NATO-së, 20 vjet më parë në Gjakovë. Është Agim Berberi apo si njihet me nofkën Rusi që tregon se çfarë ndodhi atë ditë dhe si shpëtoi i gjallë.
Berberi kishte qëndruar në Gjakovë 78 net mes flakësh , vrasjesh e masakrimesh dhe thuajse i kishte humbur shpresa se do ta priste i gjallë lirinë.
“Kur kemi dëgjuar se kolonat e ushtarëve italianë po i afrohen hyrjes së qytetit kemi dalë bashkë me disa njerëz të tjerë që ishim duke qëndruar bashkërisht.
Shumë pak metra larg nesh po qëndronin paramilitarët serbë me një pizgauer dhe një autoblindë, të gatshëm të gjuanin mbi ne.
E teksa forcat e NATO-s po afroheshin unë, fillimisht e kam nxjerrë një flamur kuqezi dhe e kam vendosur në një shenjë komunikacioni, pastaj kam vrapuar në drejtim të tyre, ndërsa serbët e kanë drejtuar mitralozin e autoblindës në drejtimin timin.
Nuk e di pse nuk kanë gjuajtur në mua, por e di që kanë gjuajtur pesë herë në ajër”, thotë ai.
Ai vlerëson se hyrja e NATO-s shpëtoi Gjakovën nga shfarosja totale dhe sipas tij, serbët kanë vrarë njerëz dhe kanë djegur shtëpi edhe për disa orë sa ushtarët e NATO-s ishin brenda qytetit.
Ndërsa pamjet e tij, teksa hidhej në xhamat e makinave të NATO-s janë parë në tërë botën dhe veprimi i tij emocional ka folur sa mijëra e mijëra fjalë për t’i dëshmuar botës gjendjen e popullit shqiptar në Kosovë që sapo i shpëtoi shfarosjes totale nga gjenocidi i okupatorit serb. /©Kabllogrami/