– Autor: NATIONAL INTEREST –
Ja cilat janë shkurtimisht 5 strategjitë, që BE-ja duhet të zbatojë për të adresuar si duhet emigrimin e paligjshëm.
Që nga viti 2009, në Bashkimin Europian kanë hyrë 3.4 milionë emigrantë të paligjshëm- azilkërkues ose emigrantët ekonomikë, që hyjnë pa vizë apo pa një status të konfirmuar të azilantit. Ata arritën në kontinent me anije dhe gomone nga deti, ose kapërcyen kufijtë tokësorë.
Ndërsa fluksi arriti kulmin në vitin 2015, disa udhëheqës dhe vëzhgues të BE-së u shqetësuan se kriza e emigracionit, përbënte një kërcënim ekzistencial për vetë unonin. Migrimi shkaktoi debate të ashpra në lidhje me integrimin social, kulturën, vlerat, sigurinë dhe identitetin kombëtar.
Shtetet anëtare, nuk ishin në gjendje të binin dakord për hedhjen e hapave të rëndësishëm, si një politikë e përbashkët të azilit për shpërndarjen e refugjatëve midis vendeve anëtare, duke vënë kësisoj në pikëpyetje efektivitetin e institucioneve dhe udhëheqjen e BE-së.
Partitë e të djathtës ekstreme fituan terren në shumë vende, dhe zhvendosën në të djathtë edhe platformat e partive më tradicionale. Për më tepër, skepticizmi ndaj emigracionit ushqeu votën pro Brexit në Mbretërinë e Bashkuar. Që atëherë, BE-ja ka ndërmarrë disa hapa për të adresuar emigracionin e parregullt.
Kjo çoi në përmirësimin e aftësive më të mëdha të BE-së, për ta menaxhuar migracionin përmes zhvillimit të institucioneve, politikave dhe qasjeve të politikës së jashtme. Reagimi i Brukselit, solli një rënie të konsiderueshme të numrin e emigrantëve të rinj, nga 1.8 milionë njerëz në 2015, në 206 mijë në 2017, dhe vetëm 104.000 deri në shtatorin e këtij viti.
Por këto hapa, nuk kanë adresuar plotësisht sfidat e emigrimit në BE në një përiudhë afatgjatë, siç është hapja e BE-së ndaj kritikave për bashkë-përgjegjësi në abuzimet me të drejtat e njeriut përgjatë rrugëve të emigrimit, integrimi i dobët i emigrantëve të rinj në shoqërinë evropiane dhe tregjet e punës, si dhe presioni ende ekzistues migrator nga Afrika dhe Lindja e Mesme. Ja cilat janë shkurtimisht 5 strategjitë, që BE-ja duhet të zbatojë për të adresuar si duhet emigrimin e paligjshëm
Qasje të ndryshme kombëtare, për pranimin e azilkërkuesve
Shtetet anëtare, kanë pasur qasje të ndryshme për pranimin e azilkërkuesve, duke pranuar numra shumë të ndryshëm, si dhe duke përdorur kritere të ndryshme në marrjen e vendimeve mbi kërkesat për azil. Shtetet anëtare të BE-së, kanë përpunuar rreth 5 milionë aplikime për azil gjatë viteve 2011-2017, duke pranuar rreth gjysmën e tyre.
Gjermania ka pranuar gjatë kësaj kohe 1.6 milionë refugjatë. Megjithatë, një problem serioz, është se çfarë duhet bërë me ata që nuk kanë marrë azil. Shumica e tyre, nuk kthehen dot në vendet e tyre të origjinës, pasi për shumë prej tyre është tejet e rrezikshme.
Azilkërkues të tillë “të dështuar”, kontribuojnë për një “popullsi hije”, me madhësi të panjohur që jeton në Evropë, pa status ligjor apo të drejta si të tjerët. Kjo popullatë, përballet me një retorikë të ashpër politike për largimin e tyre (gjë që mund të mos jetë e mundshme), dhe BE-ja ka dëshmuar të jetë e paaftë për t’u përballur me këtë sfidë në një nivel praktik.
Përdorimi i buxheteve të BE-së, për të mbështetur integrimin e refugjatëve
Kostoja e shërbimeve sociale për azilkërkuesit, është mesatarisht 10 mijë euro për person në vitin e tyre të parë. Shpenzimet më të mëdha nga një shtet anëtar për azilantët, i takojnë Gjermanisë, e cila do të shpenzojë 78 miliardë euro deri në vitin 2022, për integrimin e refugjatëve dhe adresimin e shkaqeve të emigracionit.
Por historikisht në Evropë, integrimi i refugjatëve në fuqinë punëtore nuk ka qenë i shpejtë. Papunësia e refugjatëve në Gjermani është rreth 40.5 përqind, krahasuar me 5 për qind për pjesën tjetër të popullsisë. Ndaj në këtë aspekt ka vend për përmirësim, pasi integrimi i refugjatëve në tregun e punës në BE është i dobët, në krahasim me Shtetet e Bashkuara, ku refugjatët janë të punësuar në nivele më të larta se sa qytetarët e SHBA-së.
Forcimi i kufijve të jashtëm të BE-së
Shumica e emigrantëve të paligjshëm, ose atyre që u larguan nga luftërat e Lindjes së Mesme, apo që emigruan nga Afrika Sub-Sahariane, kaluan në Evropë përgjatë 8 rrugëve kryesore. Rrugët mesdhetare kanë qenë të rrezikshme, me mbi 16 mijë njerëz, që janë mbytur në det që nga viti 2014.
Gjatë kulmit të krizës në vitin 2015, disa shtete anëtare mbyllën përkohësisht kufijtë e tyre të brendshëm të BE, për të ndaluar emigrantët nga kalimi tranzit brenda BE. Kjo shkaktoi frikën se emigrimi i parregullt, do të dëmtonte angazhimin e shteteve anëtare të BE, për të mbajtur kufij të brendshëm të hapur, siç e përcakton edhe Marrëveshja e Shengenit.
Vendet anëtare të BE-së, u përqëndruan më pas në forcimin e kufijve të jashtëm të unionit. Këto përpjekje i shërbyen qëllimit të synuar:numri i emigrantëve të parregullt ka rënë në vitet 2016, 2017, dhe tani në 2018.
Brukseli i tha kompetenca më të zgjeruara, dhe më shumë fonde agjencisë kufitare evropiane Frontex për patrullimin e Mesdheut. Në korrikun e këtij viti, Komisioni Evropian, propozoi rekrutimin e 10 mijë rojave të reja kufitare në shërbim të Frontex, dhe agjensive të tjera të ruajtjes së kufijve.
Bashkëpunim me vendet e treat, për të ndërprerë rrugët e tranzitit
Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare, kanë rritur bashkëpunimin me vendet e treat, për të adresuar çështjen e emigrimit të paligjshëm. Kjo ka përfshirë bllokimin e migrimit nga vendet e tranzitit dhe të origjinës, si dhe fondet e dhëna nga BE në funksion të synimit të dështuar, për të krijuar të ashtuquajturat “platforma të zbarkimit”.
Për shembull, për të trajtuar fluksin e migrantëve që ikin nga luftërat e Lindjes së Mesme, BE-ja arriti një marrëveshje bashkëpunimi me Turqinë në vitin 2016. Ndërkohë forcoi marrëdhëniet me qeveritë afrikane, veçanërisht Libinë, pikën e nisjes së shumicës së anijeve me emigrantë drejt Evropës.
BE dhe Italia kanë punuar në forcimin e rojave bregdetare të Libisë. Teksa kjo qasje ka zvogëluar fluksin e emigrantëve që vijnë nga Libia, kjo ka krijuar kampe emigrantësh, ku njerëzit trajtohen si skllevër nga trafikantët. BE propozoi krijimin e “platformave të zbarkimit” në vendet e treta, ku si pika potencile u diskutuan Tunizia, Egjipti dhe Shqipëria. Por ky propozim, u hodh poshtë nga qeveritë e këtyre vendeve.
Lidhja e ndihmës së huaj me reduktimin e emigracionit
Programet evropiane të ndihmës për zhvillim, janë përqendruar më shumë mbi vendet nga ikin emigrantët e paligjshëm, dhe synojnë të ndihmojnë në qëndrimin e emigrantëve potencialë në vendin e tyre. Kështu, BE ka rritur ndihmën ndaj vendeve kryesore të Afrikës nën-Sahariane, veçanërisht Etiopisë, Nigerit, Nigerisë, Malit dhe Senegalit.
Buxheti i i BE për vitet 2021-2027, parashikon rritjen me një të tretën të shpenzimeve të saj, në krahasim me periudhës e mëparshme ku janë shpenzuar plot 123 miliardë euro, me rritjen më të madhe në Afrikën subsahariane. Plani i Investimeve të Jashtme të BE-së, ka vendosur objektiva për të gjeneruar 44 miliardë euro investime evropiane në vendet afrikane, me qëllimin e saj të deklaruar për të “adresuar shkaqet themelore të emigracionit të parregullt”.
Shënim: Shelly Culbertson, është një politolog në think-tankun amerikan “RAND Corportation”.
Charles Ries, ka shërbyer si koordinator për tranzicionin ekonomik në Irak në ambasadën amerikane në Bagdad (2007-2008), ka qenë ambasadori i SHBA-së në Greqi (2004-2007), dhe zv/ndihmëssekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane (2000-2004).
Marrë me shkurtime nga “National Interest” – Bota.al