Shtyhet deri më 22 gusht vendimi për zgjedhjet

Për 17 ditë është shtyrë vendimi nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme apo jo. Kjo, pasi që Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që çështja e shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës të vihet në rend dite më 22 gusht. Të gjitha partitë parlamentare politike, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, janë pajtuar që seanca të mbahet në atë datë.

Për VV-në kjo datë është e vonuar dhe shtyrja e vendimit deri atëherë do të shërbejë që “subjektet e tjera të futen në pazare për qeveri teknike ose mandatar të ri pa zgjedhje”.

Sipas vendimit të Kryesisë, të marrë në takimin e mbajtur të hënën, në po të njëjtën seancë, para votimit të shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, në rend dite do të pritet të jetë edhe miratimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2018, prej së cilës Kosova përfiton rreth 100 milionë euro.

Përfaqësues të të gjitha partive politike kanë qenë të pranishme të hënën gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, me të vetëm pikë të rendit të ditës – shpërndarjen. Pas saj, kryeparlamentari, Kadri Veseli, ka deklaruar se gjatë mbledhjes ka pasur konsensus për disa vendime që, sipas tij, janë në interes të qytetarëve, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Shpërndarja e Kuvendit i jep mundësi presidentit automatikisht që ta caktojë datën e zgjedhjeve. E kam thënë me bindje të plotë, edhe sot e them, se e vetmja zgjidhje janë qytetarët e vendit tonë dhe zgjedhjet. Ato nuk janë vetëm opsion apo alternativë, por vendim i duhur për qytetarët. Me këtë vendim kemi treguar dinjitet para qytetarëve tanë”, ka thënë Veseli, duke i “uruar qytetarët për zgjedhjet”. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment