Shteti Spanjoll është shteti me regjimin politik fashist më të gjatë në Evropë, konkretisht deri në prag të viteve ’80 të shekullit të kaluar kur lideri i tyre Franko ndërron jetë. Si duket, shteti spanjoll s’po mund të lirohet akoma nga trashëgimia fashiste e të menduarit dhe vepruarit.
Për më tepër, përkrahja e politikave fashiste të Serbisë dikur dhe tashti për pasardhësit politik të Millosheviqit e Sheshelit, e vërteton katërcipërisht këtë trashëgimi spanjolle. Politikanët në Spanjë mund të quhen socialistë, social – demokratë, liberalë etj, por si duket trashëgimia fashiste është e rrënjosur thellë në qenien e tyre.
Pengesat politike që po ia shkaktojnë Republikës së Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, me analogji të Katalonisë e Baskisë, mbase edhe mund të kuptohen, ndonëse të pa bazuara dhe pa mbështetje të fortë juridike, për faktin se edhe Kosova ishte element konstituiv i ish Federatës Jugosllave, sikur vendet tjera në ish Jugosllavi, tashmë shtete të pavarura, dhe si e tillë Kosova përmbyllte procesin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë, gjë që e konfirmoi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Por pse sportistët të diskriminohen? A duhet përzier patjetër sporti me politikën, ndonëse kjo shkel vlerat e parimet bazë të humanizmit, të drejtat njerëzore e vlerat e qytetërimeve perëndimore.
T’i kthehemi paradoksit. Këtë të dielë ka përfunduar kampionati i 24-t botëror i karatesë. Në ngjarjen e mbajtur në Madrid të Spanjës, Kosova mbeti pa medalje, por prapë rreth ekipit të Kosovës kishte zhvillime shqetësuese të natyrës politike që padyshim ndikojnë edhe në performancën e sportistëve kosovarë.
Shteti spanjoll nuk lejoi flamurin e Kosovës në sallën ku u zhvilluan garat e botërorit, ndërsa karateistët kosovarë në vend të shkurtesës “KOS”, në shpinë kishin shkurtesën WKF, përkatësisht inicialet e Federatës Botërore të Karatesë. Edhe në faqen zyrtare Kosova u prezantua me shkurtesën “WKF5”, shkruan sot koha ditore, përcjell Kabllogrami.
Kështu edhe njëherë karateistët kosovarë ishin të diskriminuar, përkatësisht nuk u trajtuan në mënyrë të barabartë me të tjerët.
Edhe pse do të duhej, madje me zë të lartë, nuk ka pasur ndonjë reagim publik nga Federata e Karatesë së Kosovës për trajtimin jo të barabartë të sportistëve të saj në kryeqendrën e Spanjës, ndërsa reagimet kanë munguar edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ky trend i heshtjes, përuljes dhe mosreagimit duhet të ndërpritet. Duhet ngritur zëri duke kërkuar fuqishëm trajtim të barabartë. Mbase kjo do t’i ndihmonte edhe Spanjës të largohen nga mendësia e errët fashiste. / Mentor Bogaj /©kabllogrami.com/