Shkruan: Jakup Krasniqi
– “E gjithë bota po çuditej nga fuqitë e Turqisë, që kaq shpesh e kishte tronditur Europën dhe Azinë, dhe po thyhej nga një provincë e vogël; një shembull mjaft i çuditshëm, se si cilësitë dhe zotësitë e një njeriu të vetëm, të një vendi të vogël mund ta bënin. Murati e vuri re tani se çfarë rëndësie kishte fakti që Skënderbeu ishte armiku i tij, ndaj dhe vendosi ta drejtonte luftën në një mënyrë tjetër, që s’e kishte bërë më parë, dhe krijoi idenë se me personin e Skënderbeut, ai kishte të bënte me të gjithë krishterimin dhe njëkohësisht Persinë, në mënyrë që të mos ishte e nevojshme vetëm të krijonte një ushtri të madhe, por edhe ta drejtonte atë vetë” shkruante dijetari danez Ludvig Holberg (1684-1754) pёr Skёnderbenё.
Skënderbe, Mbret i Shqipërisë, emri i pavdekshëm, i denjë për t’u shenjtëruar në tempullin e kujtesës
Pas pushtimit osman të Shqipërisë, në fillim të shekullit XVI, pas Marin Barletit, në Europë fillon epoka e tretë e Skënderbeut dhe mbajtja gjallë e frymës çlirimtare skënderbegiane. Ndoshta Skënderbeu për tre shekuj sikur u harrua në Shqipëri, por jo nga shqiptarët e ditur, të cilët me veprat e tyre në gjuhën latine, e bënë Skënderbeun pjesë të pandashme të Shqipërisë e të Europës.
Sigurisht që në ato vite e shekuj, Skënderbeu i duhej Europës dhe europianëve për edukimin patriotik, dhe aso kohe evropianët shëmbëlltyrë të patriotizmit kishin Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Dhe atyre askush as dje e as sot nuk u thotë pse e përdorët Skënderbeun për edukimin patriotik e liridashës. Por europianët Skënderbeun nuk ua lanë vetëm humanistëve shqiptarë. Ata do të shkruajnë edhe vepra të tjera për Heroin e Europës së krishterë. S’ka dyshim që, vepra që gjatë atyre viteve përjetoi më së shumti botime e ribotime, ishte vepra e Marin Barletit për historinë e Skënderbeut, për princin e epirotëve, Gjergj Kastriotin.
Në Europë, nga mendje të ndritura tё saj u vlerësua lart vepra luftarake e Skënderbeut, e në mënyrë të veçantë u vlerësua strategjia ushtarake e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Njerëz të artit e të shkencës që u morën me jetën e veprën e Skënderbeut, mes të tjerëve ishin gjermani Jakob Philipp Fallmerayer , danezi Ludvig Holberg (1684-1754), malazezi nga Budva, Stephan Zannoëich e shumë e shumë të tjerë, që kanë folur e shkruar dhe që nuk janë objekt i këtij libri. Por përkundër kësaj, e shoh me interes, që lexuesit shqiptar t’i sjell disa aksentë të danezit Ludvig Holberg dhe të gjermanit, J. Ph. Fallmerayer. I pari, shkrimtar i shekullit XVII-XVIII, shkroi veprën “Skënderbeu”, nga vëllimi “Historia e heronjve”, në të cilin u botua shkrimi për Skënderbeun.
Shkrimtari e mbyll shkrimin e tij me këtë konstatim: “Skënderbeu ishte luftëtari, prijësi dhe njëkohësisht heroi më i madh në histori.51” I dyti, historian i gjysmës së shekullit XIX (kur shkruan veprën, më saktë artikujt për ilirët (1857), flet shqiptarët (1860) dhe Skënderbeun (1861). Le të ndjekim radhën e autorëve. Shkrimtari dhe historiani danez, të dhënat që jep në librin e tij për lexuesit danezë për Skënderbeun, pa dyshim që i ka nga Barleti ynë. Ai shkruan: “Pasi Gjergji mësoi në fëmijërinë e tij me një shpejtësi të admirueshme shkenca dhe gjuhë të ndryshme, pikërisht turqisht, arabisht, greqisht, italisht dhe ilirisht; dhe kur erdhi pak më shumë në moshë, la të kuptojë se kishte dëshirë të madhe për të mësuar edhe ushtrimet ushtarake, dhe kështu i dha Sulltanit sinjale të tilla, saqë ai e bëri menjëherë Sanxhak, titull ky që ka vlerë thuajse të barabartë me një Pasha. Në moshën 19- vjeçare ai ndoqi luftën në Azi, dhe pas një kohe të shkurtër, atij iu dha komanda e një ushtrie; nga ku ai provoi të tregonte një guxim e kurajë të tillë, saqë emri i tij u bë i njohur anembanë”.
Po për këtë gjë, Falmerayer thotë: “Skënderbeu shkruante dhe fliste rrjedhshëm turqisht dhe greqisht dhe si një iç-ogllan (djalë fisnik që shërbente dhe mësonte në Oborr – N. N), i parapëlqyer i Zotërisë së Madh, e pati mësuar me gramatikë edhe arabishten e vjetër, me qëllim që të lexonte në origjinal kodin e Islamit”. Më pas autori, duke përshkruar vetitë fizike dhe intelektin e Skënderbeut, shkruan: “Shtatin e lartë dhe simetrinë e mrekullueshme të trupit, mençurinë e natyrshme, vështrimin e shpejtë dhe pjekurinë e parakohshme, mendjemprehtësinë dhe vendosmërinë e më të madhit dhe më të famshmit nga të gjithëshqiptarët”. Të dy citimet e mësipërme, përveç të veçantave të tyre, plotësojnë njëri-tjetrin dhe që të dy së bashku i ofrojnë lexuesit europian të veçantat e dallueshme të Kastriotit, jo vetëm në mesin e shqiptarëve. Këto dhe shumëçka tjetër, që aso kohe thuhej e shkruhej për Skënderbeun në Europë edhe nga autorë të tjerë, e bënin Heroin tonë një shembull të veçantë edukimi patriotik në Europë.
Citimet e këtyre autorëve përmbysin të dhënat e disa autorëve, shqiptarë e të huaj, që mbivlerësimin e Skënderbeut ua lënë vetëm vlerësimeve shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore ose pas Luftës Nacional-Çlirimtare. Autorët e përmendur nuk hezitojnë në njërën anë, ta vlerësojnë luftën e shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu dhe të habiten me përgjumjen e vendeve europiane të kohës. Fillimisht po sjellim një citat nga danezi, i cili për këtë çështje shkruan: “E gjithë bota po çuditej nga fuqitë e Turqisë, që kaq shpesh e kishte tronditur Europën dhe Azinë, dhe po thyhej nga një provincë e vogël; një shembull mjaft i çuditshëm, se si cilësitë dhe zotësitë e një njeriu të vetëm, të një vendi të vogël mund ta bënin. Murati e vuri re tani se çfarë rëndësie kishte fakti që Skënderbeu ishte armiku i tij, ndaj dhe vendosi ta drejtonte luftën në një mënyrë tjetër, që s’e kishte bërë më parë, dhe krijoi idenë se me personin e Skënderbeut, ai kishte të bënte me të gjithë krishterimin dhe njëkohësisht Persinë, në mënyrë që të mos ishte e nevojshme vetëm të krijonte një ushtri të madhe, por edhe ta drejtonte atë vetë.
Prandaj u bënë përgatitje të mëdha dhe bërthama e të gjithë luftëtarëve turq, që Europa dhe Azia mund të sillnin, duhej të pajisej për të përmbysur një provincë të vogël, që ai më përpara, me vetëm një lëvizje koke e kish mbajtur nën sundim. I gjithë kristianizmi u tremb nga lëvizjet që bëheshin. Vetëm Skënderbeu, që rrinte ashtu i vetëm, nuk u tremb, por u bë gati si ai që përgatitet të fitojë, dhe bëri një rezistencë të ashpër”. Ja pse vende e popuj të Europës për shekuj me radhë e nderuan dhe e respektuan Skënderbeun, si shembullin më të spikatur patriotik, që do t’u shërbente për çlirimin dhe krijimin e shteteve kombëtare në Europë.
A ka si të thuhet më bukur, sesa e ka thënë shkrimtari e aristokrati danez në shekullin XVIII: “I gjithë kristianizmi u tremb nga lëvizjet që bëheshin (nga Perandoria Osmane – J. K.). Vetëm Skënderbeu, që rrinte ashtu i vetëm, nuk u tremb, por u bë gati si ai që përgatitet të fitojë, dhe bëri një rezistencë të ashpër”. Rezistenca e shqiptarëve ishte e tillë, sa e çoi sulltanin e madh osman drejt vdekjes. Ndërsa Skënderbeut i dha një fitore madhështore. Prandaj mendjet e ndritura europiane e vlerësuan Skënderbeun dhe luftën e kapedanëve dhe ushtarëve kryetrima të Arbërisë. Nëse kështu shkruanin shkrimtarë e shkencëtarë europianë, pse të mos shkruanin dhe ta vlerësoni, madje dhe të bënin garë, shkrimtarë, shkencëtarë e artistë të ndryshëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX për Heroin e popullit të tyre? Madje kjo garë duhet të bëhet edhe sot. Nuk ka dyshim, se një verbëri e madhe ka përfshirë një kategori shqiptarësh dhe jo vetëm të politikës, por gjithsesi të yshtur e në ndonjë rast të imponuar nga politika e mbrapshtë e tranzicionit “demokratik”. Një mendim të përafërm me danezin e ka edhe gjermani J. Ph. Fallmerayer, pas një shekulli.
Ky i fundit shkruan për rezistencën shqiptare: “Shqipëria ishte vatra dhe pak a shumë qendra, në të cilën përqendrohej protesta e armatosur e krishterimit europian, kundër madhështisë së osmanëve, e cila kërcënonte të gjitha ekzistenca politike. Dhe atë që Perëndimi nuk mundi ta arrinte me forcat e veta në Maricë (1362), në Kosovë (1389), në Nikopojë (1396), në Varnë (1444), shpresonte të arrinte tani me aq sa mundej një dorë të huaj. Skënderbeu ishte Kapiteni i Përgjithshëm i të krishterëve kundër turqizmit”.
Sipas Fallmerayerit, kishte edhe ndonjë shtet europian, që për 25 vitet e luftimeve të Skënderbeut kishte dhënë vetëm dy lajme. Ai thotë: “Për njëzet e pesë vjet Skënderbeu e mbajti pezull fatin e kontinentit ilirik dhe nga kjo epokë e shkëlqyer e shqiptarëve dhe e udhëheqësit të tyre të madh, Franca na jep vetëm dy njoftime të thjeshta, nga të cilat i pari bën fjalë për mundjen e Skënderbeut nga Mehmeti II më 1466 dhe (gabimisht) si të zënë rob, kurse i dyti përmban të vetmen datë të drejtë të vdekjes së tij”. Kjo ishte Europa e kohës, e ndarë, e përçarë dhe inatçore, si dhe e paaftë për të mbrojtur europianët e Gadishullit Ilirik. Është interesante se, edhe pse autorët kanë një distancë kohore njëshekullore, për shqiptarët dhe Europën e kohës kanë të njëjtin vlerësim.
Vepra e Marin Barletit shënon një botim në gjuhën frënge, pas botimit në gjermanisht (1533) nga Jacques de Lavardin (1576). Për francezin, Gjergj Kastrioti Skënderbeu është emër i pavdekshëm dhe i shenjtëruar në tempullin e kujtesës. Për lexuesin shqipfolës po sjellim një pjesë nga parathënia e librit në gjuhën franceze. “Dohasni këtu një Princ fetar, zemërbardhë, luftarak, të armatosur, me besë e zell të pabesueshëm, një ushtar besnik, unanim, i bindur. Do vëreni një bindje aq të përkryer të disiplinës ushtarake, sa fitoret e papërfillshme dhe bëmat e të tjerëve do t’ju duken më pak të denja për adhurim. Është këtu jeta e Gjergj Kastriotit, i mbiquajtur nga turqit Skënderbe, Mbret i Shqipërisë, emri i pavdekshëm i të cilit është i denjë, pa kurrfarë kundërshtimi, për t’u shenjtëruar në tempullin e kujtesës, përmbi, rastësisht, të gjithë të tjerët të rekomanduar kalorës e kampionë të Jezu Krishtit, prej tij gjallëruar në do vise të Levantit përballë sektit të Mehmetit, ku ai, më se një herë, ka shfaqur krejt cilësitë dhe prerogativat e lëvdueshme, sikurse janë besimi, forca, zhdërvjelltësia trupore, shkathtësia mendore dhe praktikimi i armëve, zbatuar me një këmbëngulje aq të pazakontë, sa bëmat e tij i tejkaluan meritueshëm, mund të thuhet, vetë misionet e paracaktuara; dhe prej tyre, unë nxora e mora, sipas historisë së vërtetë, shkrime nga ata që kanë folur, në mënyrë të veçantë nga Marin Barleci, prift, lindur në Skutari të Shqipërisë, që mendova ta kem si ekzemplar e patron kryesor, si autor që njihet për shumë zotësi e vërtetësi, për shumë seriozitet e gojëtari, dhe që meriton vend ndër historianët latinë më në zë të shekujve të shkuar.” Citimi është goxha i gjatë, por ka vlera të shumta historike e vlerësuese, si për Kryeheroin tonë, ashtu edhe për historianin e parë shqiptar, Marin Barleti, që pa dyshim me plot meritë, radhitet si historian i nivelit të lartë dhe i krahasueshëm me ata grekë e latinë. /©kabllogrami/