Shpend Ahmeti, njëri nga kryesuesit e Ekipit negociator për bisedime me Serbinë, tha se as kryeministri Ramush Haradinaj dhe as të tjerët nuk duhet lënë vetëm për çështjen e taksës ndaj mallrave serbe, duke kërkuar kështu nga liderët kosovarë të mbajnë një qëndrim të përbashkët.
Ai këto komente i bëri pas takimit të krerëve institucionalë dhe ekipit negociator për dialogun me Serbinë, pas finalizimit të platformës për bisedimet në Bruksel.
Shpendi me këtë rast bëri thirrje që krerët e lartë shtetërorë të mos e lënë njëri-tjetrin vetëm në çështjen e taksës, ndërsa shprehu besimin se kjo nuk do të rrezikojë raportet me SHBA-në, pavarësisht letrës së dërguar lidhur me heqjen e taksës nga ana e Uashingtonit zyrtar, transmeton ksp.
“Mos ta lëmë njëri-tjetrin vetë në këto tema. Nuk mundemi me lënë kryeministrin vetë, krejt presioni tash vjen tek ai. Nuk do ta lëmë vetë njëri-tjetrin, nëse marrim vendim bashkë me mbajt taksën, do ta mbajmë të gjithë, nëse merret vendimi me heq taksën ta ndajmë kritikën bashkë. Është e qartë që ka filluar të eskalojë pak edhe marrëdhënia me SHBA. Megjithatë jam i bindur që kjo nuk rrezikon marrëdhëniet tona me SHBA-të”, tha Shpendi.
Ai tha se çështja e korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi nuk do të përfshihet në platformën për bisedimet me palën serbe në Bruksel.
Për më tepër, Ahmeti ka bërë të ditur se platforma për dialogun me Serbinë pritet të dërgohet zyrtarisht të premten në Kuvend, ndërsa sa i përket letrës së SHBA-së lidhur me taksën, ai tha se nuk ka ndonjë ndryshim nga ana e kryeministrit Haradinaj sa i përket heqjes së saj.
Ndryshe, dje Ekipi negociator për dialogun me Serbinë ka bërë të ditur se ka finalizuar platformën për bisedime me Serbinë në Bruksel. /©Kabllogrami/