‘Shoferi i Gani Thaçit pjesë e grupit që u kap më 113 kilogramë heroinë’

Shoferi problematik i vëllait të Hashim Thaçit nuk po i ndalë problemet me drejtësinë. Pak javë pasi së bashku me shefin e tij, Gani Thaçin, u përshi në rrahjen e drejtorit të Byrosë së Sigurimeve, Enis Qerka të shtunën u arrestua për drogë në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë, raporton Gazeta Express. I njëjti dyshohet të jetë pjesë e grupit që një javë më parë u kap me 113 kilogramë heroinë. 

Katër kosovarë janë arrestuar të shtunën në Han të Elezit. Atyre iu është konfiskuar edhe një veturë BMW.

Aksioni i policisë është vazhdimësi e atij të 2 dhjetorit të këtij viti, ku policia kapi 113 kg drogë në Prishtinë, me ç’rast kishte arrestuar 4 shtetas të Shqipërisë.

Në mesin e të arrestuarve, në grupin e dytë, në Han të Elezit, është edhe Enis Qerka, shofer i Gani Thaçit, vëllaut të presidentit Hashim Thaçi, raportin Gazeta Express.

Qerkës dhe tre të arrestuarve tjerë Gjykata e Prishtinës u ka caktuar të hënën 30 ditë paraburgim.

Masën e paraburgimit ndaj tij dhe tre të dyshuarve tjerë, për Gazetën Express e ka konfirmuar Gjykata Themelore e Prishtinës.

Por ka reaguar edhe Gani Thaçi, vëllai i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke thënë se i arrestuari nën dyshim për posedim të lëndëve narkotike – heroinë, Enis Qerka, nuk është shoferi i tij.

Gani Thaçi ka shtuar se Qerka i cili është arrestuar nën dyshimin e posedimit të lëndëve narkotike është punëtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit, raporton Gazeta Express.

“Emri im është lakuar sot nëpër portale se gjoja shoferi im është arrestuar, unë dua ta demantoj se Enis Qerka nuk është shoferi im. Enisi është punëtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit që 6 vite në pozitën e shefit të logjistikës”, ka thënë Thaçi për Arbresh.info. “Enis Qerka nuk është shoferi im”, ka theksuar ai.

Thaçi ka shtuar gjithashtu se rasti ka ndodhur në ditë vikendi: “Ky rast ka ndodhur të shtunën për të cilën unë nuk marrë përgjegjësi, Enisi nuk ka qenë me veturë zyrtare “, ka shtuar Thaçi, për Arbresh.info, transmeton Gazeta Express.

Thaçi ka thënë se nuk merr përgjegjësi për veprimet e askujt. /Gazeta Express/

 

Comments (0)
Add Comment