Serbia ka refuzuar propozimin e SHBA-së për Kosovën

Siç njofton gazeta e Beogradit ‘Novosti’, pala serbe propozimin nga Shtëpia e Bardhë dhe Platformën për dialog i ka parë si veprime të sinkronizuara në mënyrë që Serbinë ta vërë para aktit të kryer për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe që si shpërblim Serbisë t’i ofrohet anëtarësim i përshpejtuar në BE.

Beogradi nuk do ta pranojë propozimin e SHBA-së për ta njohur pavarësinë e Kosovës, ashtu siç i ka shkruar presidenti amerikan Donald Trump presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, transmeton Koha.net duke cituar gazetën beogradase.

“Se shpresat për njëfarë ndryshimi të qëndrimit të SHBA-së janë vetëm ëndrra, e ka dëshmuar edhe urimi i Trumpit për Serbinë e Kosovën”, konstaton gazeta dhe rikujton se “dy urimet njësoj, kërkojnë marrëveshje me njohje të ndërsjellë”.

Ditë më parë me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, presidenti i SHBA-së Donald Trump i kishte dërguar një letër urimi presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në letër, siç shkruante gazeta e Beogradit “danas”, Trumpi ka kërkuar nga Vuçiqi që sa më parë të arrihet një marrëveshje me Kosovën e cila duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë të pavarësisë.

“Përderisa ju mbetet palëve të arrijnë marrëveshje, mendojmë se njohja e ndërsjellë duhet të jetë elementi qendror i normalizimit të raporteve”, kishte shkruar ndër të tjera presidenti amerikan Donald Trump, në letrën e urimit dërguar presidentit serb Vuçiq. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment