Ideja për korrigjimin e kufijve i ka frikësuar serbët që jetojnë në Kosovë, andaj është bërë thirrje që të hiqet dorë nga kjo ide, si dhe nga ana e Serbisë është kërkuar të njihet realiteti i Kosovës si shtet i pavarur me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.
Me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për serbët në Kosovë është rekomanduar një dialog i Qeverisë së Kosovës me komunitetin serb.
Kështu u tha me rastin e publikimit të hulumtimi të Komitetit të Helsinkit, raport ky i cili flet për jetën dhe pritjet e serbëve në Kosovë.
Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, ka bërë thirrje që të hiqet dorë nga ideja për korrigjimin e kufijve, pasi që si e tillë ajo paraqet rrezik për konflikt në Ballkan.
Ajo u shpreh se komuniteti serb në Kosovë jeton në kushte të vështira dhe se nuk kanë mbështetje nga Beogradi, por mungon edhe mbështetja e duhur nga Prishtina zyrtare.
Në bazë të këtij raporti del se edhe Lista Serbe nuk përfaqëson interesat e komunitetit serb, andaj Biserko rekomandon që pala kosovare të fillojë një dialog me serbët e Kosovës për të përmirësuar jetën e tyre.
Problemet kryesore me të cilat përballen komuniteti serb në Kosovë janë gjendja e vështirë ekonomike dhe sociale, pamundësia për punësim sidomos të të rinjve të këtij komuniteti.
“Të heqin dorë nga negociatat për ndryshim të kufijve, të pranohet realiteti i Kosovës dhe konform marrëveshjes së nënshkruar të fillohet në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën si shtet i pavarur dhe kjo është mënyra e vetme që në rajon të pamundësohet një kanosje që po i kërcënohet dhe Serbisë, dhe të gjithë të tjerëve” u shpreh Biserko.
Se ideja për korrigjimin e kufijve paraqet rrezik për të dyja shtetet, e tha edhe drejtor ekzekutiv i KIPRED-it, Lulzim Peci, i cili u shpreh se një ide e tillë shkatërron gjithë atë që është ndërtuar në këta 20 vjet në Kosovë.
Izabela Kisiq, drejtoreshë ekzekutive e Këshillit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, u shpreh se në bazë të hulumtimeve të bëra, është vërejtur se ka rënie sa i takon integrimit të serbëve në Kosovë.
Sipas saj, propozimet për ndarjen e Kosovës te komuniteti serb ka krijuar paqartësi dhe pasiguri.
Ndërsa, Ismajl Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se komuniteti serb në Kosovë gëzon të drejta të shumta, dhe se investimet për t’u kthyer ata në Kosovë kanë qenë të shumta. Kurteshi tha se dialogu me serbët e Kosovës ka munguar sidomos tani kur edhe ata përfaqësohen nga Lista Serbe, e cila më shumë i përfaqëson interesat e politikës ditore të Beogradit, sesa të komunitetit serb në vendin tonë.
Për krijimin e këtij raport janë intervistuar 40 respodentë të komunitetit serb që jetojnë në enklavat e ndryshme në Kosovë, dhe moshat kanë qenë të ndryshme. /©Kabllogrami/