Selektori i Kosovës, Bernard Challandes, të hënën më 11 nëntor në Prishtinë, në paraqitjen e parë para mediave në prag të dy ndeshjeve të fundit dhe vendimtare për kualifikim në “Euro 2020”, u tregua i matur duke bërë përpjekje që të shkarkojë nga lojtarët e tij përgjegjësinë dhe presionin e madh që i pret në këto dy lojët e fundit kualifikuese, shkruan gazeta online Kabllogrami.
Selektori Challandes tha se të përzgjedhurit e tij nuk do të kenë presionin e rezultateve, por të lojës së mirë. E, sipas tij, loja e mirë sjell rezultatin e dëshiruar.
E Kosovës i duhet fitorja më 14 nëntor në Plzen ndaj Çekisë, e më pas edhe barazimi të paktën ndaj Anglisë më 17 nëntor në Prishtinë, për të siguruar kualifikimin historik në kampionatin evropian të futbollit që do të mbahet vitin e ardhshëm.
Çekia është e dyta në Grupin A me 12 pikë, një më shumë se Kosova.
Challandes e nisi konferencën me batutë, duke thënë se “numri i madh i gazetarëve në konferencë i bën me dije atij se Kosova i ka dy ndeshje të rëndësishme gjatë kësaj jave”.
Me gjithë peshën e madhe të ndeshjeve, ai refuzoi t’u referohet atyre si “të jesh apo të mos jesh”. Thjesht i quajti ndeshje të radhës.
Në anën tjetër, Kosova e ka edhe një dritare hapur për kualifikim në Euro 2020 përmes Ligës së Kombeve ku do të duhej t’i fitojë dy ndeshje, së pari ndaj Maqedonisë Veriore, e pastaj në rast fitoreje do të duhej të takohej me ekipin fitues të një dueli tjetër, për të arritur kualifikimin në Euro 2020, por përfaqësuesja e Kosovës e udhëhequr nga Challandes dëshiron që punën e kualifikimit ta kryejë më 17 nëntor të këtij viti. /©Kabllogrami/