SBASHK-u kategorik: Greva nuk ndalet, deri në realizimin e kërkesave

Përderisa greva në arsim ka hyrë në javën e tretë, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë /SBASHK/ vazhdon të zotohet se greva nuk do të ndalet deri në plotësimin e kërkesave, përcjell Kabllogrami.

Një gjë të tillë SBASHK-u e ka theksuar përsëri edhe sot, nëpërmjet një komunikate për media..

“Raportet e arritura nga Këshilli Qendror Grevist, komunal dhe universitetet, tregojnë se edhe në ditën e 12-të të punësuarit në tërë sektorin e arsimit të Kosovës ishin në grevë të përgjithshme, të vendosur deri në realizimin e kërkesave për ndryshim të koeficienteve në tërë sektorin e arsimit”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.

Sipas SBASHK-ut, të gjithë mësimdhënësit janë të shqetësuar që nuk po plotësohen kërkesat e tyre.

Ata po vazhdojnë të kërkojnë ngritjen e koeficientëve deri në 30%.

“Delegacioni i Këshillit Qendror Grevist, bashkëbisedoi me grevistët për gjendjen aktuale, ku të gjithë ishin të brengosur së institucionet e Kosovës nuk po krijojnë gatishmëri për t’i  plotësuar kërkesat e punëtorëve të arsimit, tashmë të njohura për ngritje të koeficientit prej 30%, nga çerdhet deri në universitet, duke përfshirë të gjithë të punësuarit nga punëtoret teknik deri te rektori”, përfundon komunikata e SBASHK-ut. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment