Gjiganti jug-korean i teknologjisë, Samsung, ditë më parë ka prezantuar serinë e tij të re të tabletëve Android, ndërsa tani ai ka zbuluar modelin Galaxy Tab A 10.1 /2019/ – një tablet me çmim të përballueshëm që kushton sa gjysma e çmimit të Galaxy Tab S5e.
Samsung Galaxy Tab A 10.1 /2019/ është zbuluar së bashku me Galaxy Tab S5e dhe do të jetë në dispozicion në disa shtete të Evropës dhe më vonë edhe në SHBA, shkruan phonearena, përcjell koha.net.
Galaxy Tab A 10.1 /2019/, po ashtu, vjen me 2 GB RAM memorie dhe 32 GB memorie të brendshme me mundësi zgjerimi deri në 400 GB përmes kartelës microSD, si dhe me procesor Exynos 7904.
Gjithashtu, Galaxy Tab A 10.1 (2019) vjen me ekran prej 10.1-inç Super AMOLED me rezolucion prej 1.920 x 1.200 pikselë, kamerën kryesore prej 8 megapikselë dhe atë të përparme prej 5 megapikselë, baterinë prej 6.150 mAh, transmeton Koha.net. Po ashtu, tableti i ri punon me sistemin operativ Android 9 Pie dhe do të ofrohet në dy versione – njëri që ofron mbështetje për lidhjen Wi-Fi dhe tjetri për LTE.
Sa i përket çmimit, Galaxy Tab A 10.1 (2019) do të jetë në dispozicion me çmim prej 210 euro (për modelin me Wi-Fi) dhe 270 euro (për LTE), si dhe do të shitet në tre ngjyra: të zezë, ari dhe të argjendtë.
Para-porositë për këtë tablet të ri do të fillojnë nga 14 marsi deri në 4 prill. /©Kabllogrami/