Ish- komandanti UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi ka përfunduar intervistimin nga Prokurori i Specializuar në Hagë.
Pas marrjes në pyetje për dy ditë rresht në Prokurorinë e Specializuar në Hagë, Rrustem Mustafa-Remi, ka deklaruar se është marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarit të dyshuar.
“Kam pas shumë pyetje nga gazetarët si do të përfundon intervista me mua pranë Dhomave të Specializuara. Isha i ftuar si dëshmitar i dyshuar. Ka qenë intervistë e gjatë, sot përfundoi. Pyetjet ishin shumë serioz dhe unë isha shumë serioz. Unë po u them, UÇK-ja më ka mbrojt mua, unë nuk kam pasur nevojë ta mbrojë UÇK-në”, ka theksuar Remi për media.
Gjatë intervistimit në Hagë, Rrustem Mustafën e ka shoqëruar nga avokati i tij, Arianit Koci. Remi ka filluar të intervistohet sot që prej orës 10:00 në selinë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, kurse edhe dje është intervistuar për më shumë se 7 orë.
Prokuroria Speciale nuk ka dalë ende me asnjë informacion për ish-pjesëtarët UÇK-së që janë ftuar për t’u marrë në pyetje. Nesër do të fillojë intervistomi i gjeneralit tjetër të UÇK-së, ish-komandantit të Zonës së Drenicës, Sami Lushtaku, i cili sot ka arritur në Hagë. /©Kabllogrami/