Në kuadër të Panairit të Librit që po mbahet këto ditë në Prishtinë, është promovuar libri më i ri i akademik Rexhep Qosjes “Dëshmitar në kohë historike”.
Ky libër u cilësua si një dëshmi e historisë dhe si një dëshmi e pashlyeshme jo vetëm e Kosovës, por dhe e Shqipërisë.
Profesori, Paskal Milo duke përmendur botimin e këtij libri shprehu fjalë të mëdha për autorin e tij, akademik Rexhep Qosjen duke konsideruar se kapacitetet e tilla si Qosja nuk i lindin kombit shqiptar shpesh.
“Ky libër është një dëshmi e historisë, dëshmi e pashlyeshme jo vetëm e Kosovës, por dhe e Shqipërisë. Për marrëdhëniet ndërshqiptare. Mbi të gjitha ky vëllim është një dëshmi e mendjekthjelltësisë. Është një dëshmi se kapacitetet e tilla nuk i lindin kombit shpesh herë. Shqiptarët duhet të kenë nder që janë bashkëkombës të Rexhep Qosjes”, tha ai.
Ndërsa, drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi u shpreh se gjitha vëllimet e këtij libri dëshmojnë kapacitetin intelektual të Qoses.
Profesori tjetër, Agim Vinca tha se ditarët e Rexhep Qosjes janë vepra të mëdha si nga përmbajtja ashtu dhe nga kohëzgjatja. /©Kabllogrami/