Përkundër interesimit të Pekinit, lidhja e Kinës me Bashkimin Europian ka përjetuar një seri thyerjesh në vitin 2018. Në muajin dhjetor, ekonomia më e fortë evropiane, Gjermania, ia bëri Kinës edhe më të vështirë investimet duke krijuar një ligj kundër blerjeve të kompanive gjermane nga vendet e huaja.
Revista e njohur “The Diplomat” ka shkruar njё artikull me titull: ‘Serbia: China’s Open Door to the Balkans’ ku flet për mënyrën se si Kina synon tregun evropian dhe pёr këtë, siç spjegon revista, Kina e ka gjetur rrugën përmes Serbisё.
“Në Ballkan, jo fort larg BE-së, Kina po shijon një tjetër përvojë. Një jo-anëtare e BE-së, Serbia, pohon të jetë një prej mikeve më të mira të Kinës në Europë. Pekini është përfshirë në projekte të shumta në Ballkan, edhe pse ajo më e njohura, hekurudha Beograd-Budapest, ka dështuar të ndërtohet deri më tani”, ka shkruar “The Diplomat”, transmeton koha.net, duke nёnvizuar marrëdhëniet e turbullta mes Kinës dhe Jugosllavinë që prej vitit 1949 e këtej.
“Josip Broz Tito, lideri i Jugosllavisë komuniste, dëshironte të lidhej me Republikën Popullore të Kinës, por ishte kthyer mbrapsht nga Mao Zedongu për shkak të ndarjes së Titos me Stalinin. Edhe pse Jugosllavia filloi ta njihte Republikën Popullore të Kinës në vitin 1949, Tito priti që më 1977 ta vizitonte Pekinin për herë të parë”, shkruan revista.
Ftohjen e marrëdhënieve të diktatorit shqiptar, Enver Hoxha me Kinën, e shfrytëzoi Serbia që u bë partnere e saj.
“Marrëdhëniet vazhduan të jenë të mira që prej viteve ’80 dhe ’90 kur erdhi në pushet Sllobodan Millosheviqi. Pas luftës për ndarje të Jugosllavisë, Millosheviqi vizitoi Kinën si president serb në vitin 1997 dhe mori përkrahje diplomatike nga Kina pas marrëveshjes së Daytonit”, shkruan “The Diplomat”.
“Kjo është parë si shumë e rëndësishme për marrëdhëniet e Kinës me Serbinë. Pekini përkrahte pikëpamjet e Beogradit për Kosovën. Kjo reflektonte situatën e saj me Taiwanin apo edhe Hong Kongun.
Kjo gazetë konsideron se ndërhyrja e NATO-s me bombardime në vitin 1999, ishte një tjetër moment i rëndësishëm që forcoi marrëdhëniet e Serbisë me Kinën që kishte shprehur kritika kur nga sulmet me bomba në Beograd kishin vdekur tre kinezë.
Raportet e Serbisë me Kinën, sipas “The Diplomat”, janë forcuar shkaku i qëndrimeve që Serbia ka ndaj Kosovës. Përveç Kosovës, kriza ekonomike e vitit 2008 shtyu Serbinë që të përqafonte Kinën, thuhet ndë të tjera në artikullin e ‘The Diplomat’. /©Kabllogrami/