Në Hagë edhe sot nga mëngjesi ka vazhduar të merret në pyetje, për ditën e dytë rresht ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, bën të ditur Kabllogrami.
Ai ka ardhur në selinë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar i shoqëruar nga avokatë të tij, derisa intervistimi ka nisur në orën 10.
Diku rreth orës 13:00 ish-komandanti i UÇK-së dhe zyrtari i PDK-së, Rrustem Mustafa e ka ndërprerë përkohësisht intervistën në kohën e pauzës.
Ai është kthyer rreth 40 minuta më vonë në zyrat e Prokurorisë së Specializuar për të vazhduar intervistimin. As Mustafa e as ekipi i tij mbrojtës nuk kanë folur për media rreth pretendimeve të Prokurorisë. Pritet që Remi të merret në pyetje deri në ora 17:00 kur edhe përfundon për sot orari i punës për prokurorët.
Mustafa kështu është bërë personi i parë që po intervistohet nga hetues e prokurorë të ZPS-së. Në pyetje këtë të mërkurë pritet të merret edhe një figurë e lartë e UÇK-së, ish-komandanti i Zonës së Drenicës, Sami Lushtaku, i cili ka dy ditë që ka shkuar në Hagë. /©Kabllogrami/