Remi e Lushtaku nisen këtë vikend në Hagë, të hënën fillon intervistimi nga Specialja

Gjykata Speciale ishte votuar në Kuvendin e Kosovës, më 3 gusht të vitit 2015 me insistimin e Hashim Thaçit atëkohë kryeministër dhe pas presionit enorm nga “miqtë” e Kosovës, derisa kriminelët serb që kryen dhjetë fish më shumë krime deri në gjenocid në territorin e Kosovës, shetiten të lirë gjithandej, raporton Kabllogrami.

Ish-komandantët e UÇK-së, Rrustem Mustafa dhe Sami Lushtaku, pritet që në këtë vikend të nisen drejt Hagës, ku të hënën do të intervistohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Avokati i Mustafës dhe Lushtakut, Arianit Koci në një prononcim për Telegrafin ka thënë se klientët e tij të paktën të dielën në mbrëmje duhet të jenë në Hagë.

Koci nuk ka dashur të komentojë se në çfarë cilësie janë ftuar dy ish-komandantët e UÇK-së, por ka bërë të ditur se ata do të intervistohen ndaras.

“Në këtë vikend do të udhëtojmë për në Hagë. Të dielën në mbrëmje ne duhet të jemi atje, pasi të hënën fillon intervistimi. Ata duhet të intervistohen ndaras, pasi unë jam avokat i të dyve”, ka thënë Koci.

Përderisa Lushtaku e Mustafa do të udhëtojnë për në Hagë, ish-komandanti tjetër i UÇK-së, Nazif Mehmeti pritet të intervistohet në Prishtinë.

Avokati i Mehmetit, Tahir Rrecaj ka thënë për Telegrafin që deri më tani nuk kanë marrë ndonjë ftesë, që klienti i tij të shkojë në Hagë.

Rrecaj është shprehur se që nga dita e thirrjes, ka pasur kontakte të vazhdueshme me Gjykatën Speciale. Ai ka bërë të ditur se Nazif Mehmeti alias “Komandant Dini” pritet që të intervistohet më 22, 23 dhe 24 janar.

“Ende nuk na është bërë e ditur për çfarë cilësie është ftuar Mehmeti, por besoj se para intervistimit kjo duhet të na tregohet. Pasi është krejtësisht e ndryshme të ftohesh si dëshmitarë dhe i akuzuar. Ai do të intervistohet me 22, 23 dhe 24 janar”, ka deklaruar Rrecaj.

Ftesë nga Specialja ka marrë edhe Remzi Shala, por që deri më tani po raportohet se ai është arratisur. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment