Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes nënkryetares Fatmire Mulhaxha Kollçaku ka mbajtur konferencë për media mbi grevën e punëtorëve të shëndetësisë. Prej më shumë se tre javësh, kirurgët në Qendrën Klinike Universitare po mbajnë një grevë me mbi 200 mjekë, të cilëve tani i është bashkangjitur edhe Ortopedia, Institutet Paraklinike dhe Spitali i Ferizajt, tha Mulhaxha – Kolçaku, transmeton Kabllogrami.
Menjëherë pas formimit të saj, qeveria u sigurua që vendimin e parë të rëndësishëm të merrte për rritjen e pagave për veten e saj në një masë prej 100%. Ndërkohë, për ligjin për pagat për këtë vit nuk ka denjuar të parashikojë buxhet përkatës.
Fatmire Mulhaxha Kollçaku u shpreh se, “Kjo qeveri e ka sjellë buxhetin e vitit 2019 pa e projektuar brenda tij zbatimin e ligjit për paga dhe ligji nëse miratohet është e pamundur të zbatohet brenda këtij vitit sepse nuk ka buxhet për të”.
Greva e personelit mjekësor po zhvillohet në një kohë kur po mbahen edhe grevat e minatorëve dhe ajo e punonjësve të arsimit. Punonjësit e sektorit publik janë thellësisht të pakënaqur me mënyrën se si po trajtohet shteti dhe punonjësit e tij nga qeveria aktuale.
“E kanë nxitur këtë ortek të pakënaqësisë. Krejt kjo që po ndodh është pasojë e një vendimi të njëanshëm për rritjen e pagave për veten”, shtoi deputetja Kollçaku.
Ashtu siç është i planifikuar, pa buxhetin përkatës, ligji për pagat është një mashtrim. Qeveria do të duhet t’i shpjegojë mjekëve dhe qytetarëve se prej ku do t’i marrë mjetet financiare për plotësimin e kërkesave të tyre, në një kohë kur nuk është vendosur një buxhet për to. Pa buxhetin përkatës, ky ligj do të mbetet një copë letre, ka thënë mes tjerash Fatmire Mulhaxha Kollçaku. /©Kabllogrami/