Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar sot se “Kosova ka shkëputur komunikimin me UNMIK-un (Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë)” dhe se më nuk komunikon me të, si strukturë përfaqësuese e OKB-së në Kosovës sipas rezolutës 1244, transmeton Kabllogrami.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar zyrën e kryeministrit Haradinaj, për të sqaruar kohën dhe arsyet e shkëputjes së komunikimit me UNMIK-un nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Halil Matoshi, këshilltar politik i kryeministrit Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se në parim, shkëputja e komunikimit me UNMIK-un ka ndodhur “më 17 shkurt 2008, kur Kosova është shpallur shtet sovran dhe i pavarur, si dhe ka marrë njohje ndërkombëtare, duke u bërë entitet juridiko-politik i pranuar ndërkombëtarisht”. Por, sipas tij, qeveria e Haradinajt tashmë edhe praktikisht ka shkëputur komunikimin me UNMIK-un.
“Së fundi, në qeverinë Haradinaj, praktikisht edhe komunikimi i kurtoazisë është shkëputur, për arsye se objektivisht, synimet e Kosovës janë rrugëtimi euroatlantik dhe anëtarësimi në BE dhe NATO dhe ne nuk shohim asnjë interes që Kombet e Bashkuara t’i përfaqësojë një strukturë që quhet UNMIK. Praktikisht, Qeveria e Kosovës më nuk e njeh një strukturë të tillë në vendin tonë”, ka thënë Matoshi.
Zyra e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë funksionon edhe si zyrë komunikimi ndërmjet institucioneve të Kosovës me Agjencinë Ndërkombëtare të Policisë – Interpol.
Matoshi ka shtuar se Misioni i Kombeve të Bashkuara është mision “mysafir”, i instaluar në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara, para shpalljes së pavarësisë së saj, në shkurt të vitit 2008.
Misioni i UNMIK-ut është neutral ndaj statusit të Kosovës dhe vepron sipas rezolutës 1244 të OKB-së e cila ka qenë kompromis midis vendeve perëndimore dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë.
Qëllimi i këtij misioni është të kujdeset për paqen, sigurinë, sundimin e ligjit në Kosovë. Ky mision dikur ka numëruar 15 mijë të punësuar dhe sot janë rreth 380. Buxheti i këtij misioni prej qershorit të vitit 2017 deri qershor të 2018 ka qenë rreth 38 milion euro.
Pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt, 2008, institucionet e Kosovës zyrtarisht disa herë kanë thënë se rezoluta 1244 është e tejkaluar dhe nuk e përfaqëson realitetin e ri dhe se misioni i UNMIK-ut nuk ka më funksion në Kosovë.
Prishtina zyrtare ka kërkuar që misioni I UNMIK-ut të reformohet dhe të mbetet vetëm si zyrë përfaqësuese e OKB-së në Kosovë. /©Kabllogrami/