Punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë filluar grevën e përgjithshme për parandalimin e lidhjes së kontratës së re me “Z-mobile”, ku edhe kanë njoftuar se do të kërkojnë nga gjykatat e vendit që mos të lejojnë ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit për përmbarim.
Në faqen zyrtare të sindikatës së Telekomit, janë bërë publike fotografitë e punëtorëve që momentalisht janë në grevë.
Dje u raportua në media se ka gjasë që të vazhdohet kontrata me kompaninë e Devollëve, Z-Mobile, derisa këta të fundit e kanë dërguar në përmbarim kompaninë publike Telekom për borxhin e arbitrazhit.
Kështu ka filluar greva e Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, e paralajmëruar kundër vazhdimit të kontratës me Z-Mobile, si dhe kundër vazhdimit të ekzekutimit të borxhit prej 25 milionëve të Arbitrazhit për përmbarim në favor të Z-mobile, pasi që sindikalistët konsiderojnë se tashmë Z-mobile ka fituar tepër shumë në kurriz të Telekomit, të cilin e ka sjellë pranë falimentmit duke e zhvatur. /©Kabllogrami/