Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, ka publikuar emrat e lojtarëve që do të paraqiten në dy ndeshjet e muajit mars, bën të ditur Kabllogrami.
Përfaqësuesja jonë fillimisht do të takohet me Danimarkën më 21 mars në një ndeshje miqësore në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.
Pas vetëm katër ditëve, “Dardanët” në të po njëjtin stadium do të mirëpresin edhe kombëtaren bullgare, me të cilën do të luajë për kualifikimet e kampionatit evropian të vitit 2020.
Për herë të parë është ftuar edhe Florent Hasani, anëtar i deritashëm i Përfaqësueses U21 dhe pjesë e skuadrës hungareze, Diosgyori.
Gjithashtu janë rikthyer edhe Bersant Celina dhe Bernard Berisha, të cilët në ndeshjet e fundit nuk ishin ftuar prej trajnerit zviceran.
Theksojmë se në grupin tonë për eliminatoret e kampionatit evropian gjenden edhe Republika Çeke, Mali i Zi si dhe Anglia.
Ndryshe, grumbullimi dhe akomodimi i futbollistëve të Kombëtares do të bëhet, të hënën, më 18 mars, në hotel “Emerald”. /©Kabllogrami/