Prezantohet në Beograd raporti: “Dialogu i brendshëm për Kosovën në Serbi”

Dialogu i brendshëm për Kosovën në Serbi po bëhet gjenerator i nacionalizmit në Serbi, raportojnë sot mediat serbe një nga konkluzat lidhur me prezantimin e raportit mbi monitorimin e dialogut të brendshëm, bashkëautorë të të cilit janë Forumi për Marrëdhënie Etnike dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur të Serbisë.

Dialogu i brendshëm për Kosovën në Serbi nuk është rezultat i konsensusit, por më shumë çonte nga ndarja e shoqërisë, deklaroi themeluesi i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq.

Ai ka thënë se pritej që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, meqë kishte inciuar dialogun, do të dilte me një platformë politike, por kanë munguar edhe platforma e pushtetit, edhe dialogu.

Pushteti nuk po e di nga po e çon Serbinë, ka vlerësuar Dushan Janjiq, duke konstatuar se populli nuk e ka përkrahur rikufizimin me Kosovën si një zgjidhje, transmeton Koha.net. Në Serbi nuk ekziston një kornizë demokratike për të drejtuar problemin e Kosovës, deklaroi Janjiq.

Ndërsa Izabela Kesiq tha se retorika e autoriteteve të pushtetit në Serbi për hyrje në BE është më shumë në nivel deklarativ, se sa të një orientimi të vërtetë. Ajo shtoi se BE-ja për Serbinë është e vetmja zgjidhje, një kornizë ku duhet të ndërtohen sundimi i drejtës dhe respektimi i të drejtave njerëzore.

Çështja e Kosovës, sipas saj, është gjenerator i nacionalizmit në Serbi. Aty ku dominon nacionalizmi, nuk ka zgjidhje demokratike. Kosova është arsyetim për dështime në planin e brendshëm, ka vlerësuar Izabela Kesiq.

Sipas saj, ndarja e Kosovës do të hapte çështjen e rregullimit të brendshëm të Serbisë dhe të fragmentimit të shtetit. Ata që favorizojnë ndarjen e Kosovës punojnë për fragmentarizimin e Serbisë, ka thënë ajo. Kesiq ka thënë se as Uashingtoni, as ndokush tjetër nga anëtaret e BE-së nuk mbështesin rikufizimin me Kosovën.

Ndarja e Kosovës ngushton të drejtat e serbëve të atjeshëm. Homogjenizimi në baza etnike është në kundërshjtyim me idenë e sundimit të të drejtës dhe demokracisë, ka thënë ajo.

Kufizimi në baza etnike, ka shtuar ajo, i jep përparësi shovenizmit e nacionalizmit kundruall reformave, që pengon edhe bashkëpunimin rajonal.

Në lidhje me idenë e shkëmbimit të territoreve, ajo ka thënë se shkëmbimi çon te ngushtimi i të drejtave të serbëve në Kosovë, prolongon integrimet europiane, si dhe ndikon negativisht në raportet midis Serbisë e Shqipërisë. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment