‘Pretendimi i kryeministrit se ka zvogluar rrogën e vet është mashtrim skandaloz’

Pas një deklarate të kryeministrit Ramush Haradinaj sot në Mitrovicë, se kishte zvogluar rrogën e vet, kanë shpërthyer reagimet duke pretenduar se kjo nuk është e vërtetë, por një mashtrim skandaloz, raporton Kabllogrami.

Kështu, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit, Ramush Haradinaj, se ka kërkuar zvogëlim të pagës së tij.

“Mashtrimi i Kryeministrit me pretendimin se ka kërkuar zvogëlim të pagës së tij, është më skandaloz se mashtrimi i Labit me pasaportë”, ka shkruar Aliu në faqen e tij në rrjetin social Facebook.

Kryeministri Haradinaj gjatë një takimi me minatorët në Mitrovicë, ka thënë sot se ka kërkuar nga ligjvënësit që t’i zvogëlojnë rrogën atij.

Më herët, edhe deputetja Hykmete Bajrami ka demaskuar kryeministrin Ramush Haradinaj, që tha se ka kërkuar t’i zbritet paga.

Bajrami, ka thënë se me Draft-Ligjin që deputetët kanë marrë nga Qeveria, nuk i zbritet paga askujt. Ka bashkëngjitur për këtë si dëshmi, edhe Nenin 27 të këtij Draft-Ligji, pjesë e Kapitullit XI.

Haradinaj, sot gjatë ditës, pas një takimi që kishte me minatorët në Mitrovicë, të cilët janë në grevë, tha se ka kërkuar nga ligjvënësit që t’ia zvogëlojnë rrogën atij.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se më parë, nuk ka pasur ligj për pagat në Kosovë. Ai tha se më në fund po bëhet ligji.

“Kam kërku prej këtyre që e bëjnë ligjin, me e ulë vetëm një pagë, të kryeministrit, vetëm atë kam thënë ule. Mos me prek asnjë pagë që paguhet prej publikut, kryeministrit po, i takon me e ulë. Kam kërku krejt sektorëve me iu rritë, 80 milionë e shtojmë koston e ligjit në vit, qetash. E kam pa që me ligj, me mandat qeverisës, hala pa shku në fund të mandatit pak para zgjedhjeve që jemi kah veprojmë kështu”, tha Haradinaj.

E deputetja Bajrami, ish-ministre e Tregtisë dhe Industrisë, ka bërë thirrje të gjithë grevistëve në Kosovë që të mos dorëzohen.

“Nëse pagat e juaja nuk ngriten atëherë le të zbriten pagat e politikanëve”, ka thënë ajo. Duke iu drejtuar grevistëve ajo ka thënë se asnjëherë nuk e ka përkrahur ngritjen e pagave që nuk është bazuar në rritjen ekonomike. “Të gjitha këto greva origjinën e kanë te dyfishimi i pagave në Kabinetin Qeveritar dhe draft Ligji për Pagat që i betonon ato tutje”, ka thënë ajo. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment