Presidentit çek i ka ngecur ora në mentalitetin fashist që nga lufta e dytë botërore, sepse assesi s’po mund tç pajtohet me bombardimin e RFJ’së për shkak të Kosovës, vendit në të cilën Serbia pushtuese ushtroi krime të tmerrshme kundër njerëzimit deri në gjenocid.
Presidenti i Republikës së Çekisë, Millosh Zeman, thotë se ishte një gabim i madh që shteti i tij dha aprovimin për bombardimin e Jugosllavisë në vitin 1999 nga NATO. Në një intervistë për televizionin shtetëror, ka treguar se Çekia ishte shteti i fundit që e dha aprovimin për të filluar bombardimet ndaj Serbisë.
“Arsyeja që nuk votuam kundër, ishte se përpara tre javëve Çekia ishte bërë anëtare e NATO-së, dhe nuk ishte normale që një anëtar i ri të shfrytëzojë veton, si i vetmi vend”, ka thënë Zeman, transmeton Gazeta Express.
Ai ka treguar se në atë kohë Çekia po bënte përpjekje për të gjetur një aleat për veto, por ishte e pamundur një gjë e tillë.
“Unë mund t’iu them juve, se ishte një gabim, dhe besoj se pa dyshim ishte një veprim arrogant i të fuqishmëve”, ka shtuar ai.
Gazeta çeke që ka transmetuar fjalët e presidentit Zeman, ka rikujtuar se intervenimi i NATO-së, ka qenë një “intervenim humanitar’, për të ndalur agresionin serb ndaj popullatës civile shqiptare të Kosovës.
Kjo intervistë e tij është bërë me rastin e 20 vjetorit të anëtarësimit të Çekisë në NATO. /©Kabllogrami/