Poezia dhe Jakup Krasniqi: Dhembje e Krenari

Këndi Poetik

Ish kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ish zëdhënës dhe anëtar i SHP të UҪK-së, Jakup Krasniqi përmes një Deklarate të bërë publike në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, ka njoftuar opinionin se ka marrë ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë që të paraqitet më 24 korrik 2019 për intervistim.

Por, para kësaj ‘Deklarate’ të datës 20 korrik 2019, ai ka edituar në faqen e tij disa ditë më herët /14 korrik 2019/, një poezi jashtëzakonisht të fuqishme dhe të thurrur bukur të cilën me kënaqësi të madhe po e sjellim për lexuesit e portalit tonë.

Për të mos ia prishur shijen kësaj poezie të gjetur bukur dhe me shije të lartë artistike, ‘Deklaratën’ e sipërpërmendur do ta publikojmë krejt në fund të këtij shkrimi për hir të informimit për ata që janë të interesuar ta lexojnë:

Shijojeni:

DHEMBJE E KRENARI

Dhemb oh dhemb
Kur të shenjtën luftë
Ta bëjnë leckë e paçavure
Ata që nuk luftuan kurrë
E ngritur kishin të bardhin flamur!

Dhemb oh dhemb
Kur idealet njerëzore
I keqpërdorin horrat
E zemra të pikon gjak
Sikur të kafshojnë korbat!

Dhemb oh dhemb
Kur liria përdhoset
Nga t’mjerët faqezinj
Dashuria njerëzore
Tretet ndër breza e të rinj!

Dhemb oh dhemb
Ndaj nuk duhet heshtur
Për shëmti pas shëmtie
Nga ata që edhe sot
I bëjnë argatin tradhtisë!

Dhemb oh dhemb po ç’krenari
Testamenti me gjak i shkruar
Nga flijimtarët tanë biblikë
Për të qenë prore vigjilentë
Në mbrojtje të Djepit fisnik!

————————————————————————

Në vijim deklarata e Jakup Krasniqit pas marrjes së ftesës nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë që të paraqitet më 24 korrik 2019 për intervistim:

“DEKLARATË

Prishtinë, më 20 korrik 2019

Të nderuar bashkëkombës

Ndihem i obliguar moralisht t’ju njoftoj se kam marr ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë të paraqitem më 24 korrik 2019.

Pavarësisht bindjeve të mia që Gjykata Speciale e ngritur mbi bazën e raportit të Dick Martit, miratuar nga Këshilli i Evropës, i cili fund e krye është sajuar në Beograd me shpifje e gënjeshtra dhe me motiv e qëllim të komprometimit dhe inkriminimit të luftës së drejtë e të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkundër qëndrimit tim të hapur kritik e kundërshtues për krijimin me presion të kësaj gjykate, unë do të prezantohem në hetuesinë e saj në datën e caktuar në cilëndo cilësi. Me besim në drejtësinë, i bindur se e vërteta është që gjatë luftës në Kosovë, Serbia ka kryer gjenocid, kurse konstruktet e saj monstruoze për UÇK-në do të bien poshtë, unë do të jem atje për të dhënë kontributin tim për ndriçimin e së vërtetës historike.

Megjithatë është fatkeqësi dhe ironi e llojit të vet, që në vend se Serbia të përballet me drejtësinë për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit, ne duhet të mbrohemi nga akuzat e saj të trilluara, në vend që të gjykohen argumentet dhe provat e pamohueshme dhe të njohura botërisht, drejtësia merret me trille dhe shpifje të ulëta të politikës serbe dhe të shërbimeve të saj sekrete.

Përkundër bindjeve të mia sa i përket kësaj gjykate politike, të krijuar me presion politik nga njerëzit që bartin funksione të larta shtetërore në Kosovë dhe themelimin e saj me votën e atyre deputetëve që ishin numra në Kuvendin e Kosovës, unë do të prezantohem në hetuesinë e Gjykatës Speciale.
Nuk do të jetë hera e parë që dal para hetuesve për të dhënë përgjigje për çështje të sajuara nga pushteti i Serbisë. Ia kam dalë në proceset e hetuesisë jugosllave të viteve tetëdhjetë, siç ia kam dalë me përgjegjësi edhe kur jam ftuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, për rastet e kurdisura në bazë të dosjeve të dorëzuara nga Serbia kundër Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tyre.

Në të dy rastet kam dhënë deklarata në cilësinë e zëdhënësit të UÇK-së, përfaqësuesit të saj politik dhe anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë luftës së viteve 1998-1999. Deklaratat e mia në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi janë publike, siç është publik edhe verdikti i kësaj gjykate kur i hodhi si të pabaza të gjitha akuzat kundër Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt, duke shpallur pafajësinë e tyre.

As kësaj radhe nuk mund të jetë ndryshe.

Jakup Krasniqi, anëtar i SHP të UÇK-së dhe zëdhënës i tij”

©Gazeta-Online-Kabllogrami

Comments (0)
Add Comment