Po vijon sipas programit seminari për gjuhën dhe letërsinë shqipe

Prishtinë 25 Gusht: Edicioni i 38-të i Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, ka nisur punimet ditë më parë.

Kështu,në Prishtinë po zhvillon punimet seminari i 38-të ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, në të cilin po marrin pjesë një numër i konsiderueshëm studiuesish të fushës së albanologjisë. Seminari i themeluar që në vitin 1974 tashmë është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Kosovë.

Edhe këtë vit seminari ka mbledhë në Prishtinë studiues të shumtë nga vende të ndryshme.

Drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi, në një intervistë për EkonomiaOnline, thotë se interesimi i studentëve për të mësuar gjuhën shqipe është i madh.

Ai thotë se një numër i konsiderueshëm studiuesish po marrin pjesë në sesionet dhe tryezat shkencore.

“Kemi pasur një numër të konsiderueshëm të seminaristëve. Kanë ardhur aty rreth 90 seminaristë nga vendet e ndryshme të botës. Kemi seminaristë nga Rusia,Turqia, Gjermania, Egjipti, Kroacia dhe Serbia. Në përgjithësi vazhdojmë me pas interesim të vazhdueshëm për pjesëmarrje në seminar. Ndërkaq sa i përket risive seminari vazhdon që të zhvillojë aktivitetet edhe didaktike në kuptim të kurseve të gjuhës që mbahen,por njëkohësisht edhe aktiviteteve shkencore. Çdo vit në kuadër të aktiviteteve të reja kemi prurje të reja studimore nga fusha e gjuhës dhe e letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi”, thotë ai.

Në kuadër të aktiviteteve shkencore, Munishi thotë se po mbahen edhe ligjërata e tryeza të ndryshme nga profesorë të ndryshëm e po ashtu edhe referime shkencore.

“Tema në sesionin shkencor në fushën e gjuhësisë do të jetë ‘Struktura e Shqipes Aktuale’, në letërsi tema do të jetë si ‘Ëndërrohet në Letërsinë Shqipe” dhe në sesionin e kulturës tema do të jetë ‘Rrjetet sociale politike dhe jetike’, thotë ai, përcjell Koha.net.

Munishi thotë se ky seminar po mbështetet edhe nga Fakulteti i Filologjisë në Tiranë. Madje thotë se disa nga sesionet pritet të mbahen edhe në kryeqytetin shqiptar.

“Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare organizohet me bashkëkryesin që është kuadër të Fakultetit Filologjik të Tiranës. Në hapje rektori i Universitetit të Tiranës ka dhënë një ide që sesionet e caktuara t’i marrin edhe në Tiranë dhe natyrisht ne i mirëpresim të gjitha idetë dhe këto ide do ti diskutojmë bashkërisht me kolegët tanë nga Tirana dhe sigurt që do të marrim vendime të përbashkëta”, përfundoi ai.

Drejtori i Seminarit, thotë se të gjitha aktivitetet janë në koordinim të plotë me UP-në, dhe me mbështetje të MASHT=it, të cilët janë kujdesur për mbarëvajtjen dhe akomodimin e mysafirëve.

Sipas tij, Seminari ka një nënlinjë të veçantë buxhetore në kuadër të Universitetit të Prishtinës, gjithashtu thekson se kanë mbështetje edhe MASHT që ka mundësuar vendosjen e seminaristëve në konviktet e Universitetit të Prishtinës.

“Po ashtu të shtunën për seminaristët organizohet edhe një ekskursion në Pejë dhe aty kemi marr edhe mbështetje nga komuna e Pejës për realizim e këtij ekskursioni. Ky ekskursion realizohet me qëllim që seminaristët të njihen me viset e Kosovës dhe që natyrisht ta krijojnë një përshtypje për Kosovën në përgjithësi”, thotë ai.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës.

Ky Seminar organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e shtatë sesione. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Kabllogrami

Comments (0)
Add Comment