Kombëtarja e Kilit shpresonte për ta fituar për herë të tretë radhazi titullin e kampionit të Kupës së Amerikës, por ato shpresa u shuan pas disfatës befasuese me rezultat 3:0 nga kombëtarja e Perusë. Në finale Perunë e pret Brazili që mposhti Argjentinën ditë më parë në gjysmëfinalen tjetër me rezultat 2:0, raporton Kabllogrami.
Dy golat e pjesës së parë dhe një gol i tretë afër fundit të ndeshjes e çuan Perunë në finale të Kupës së Amerikës, duke e mposhtur në gjysmëfinale Kilin.
Dy golat e shënuara në pjesën e parë nga Edison Flores dhe Yoshimar Yotun, bashkë me golin e vonshëm të Paolo Guerreros, ia thyen ëndrrat Kilit për ta barazuar rekordin e Argjentinës me tri tituj të këtij kampionati radhazi. Peru u kualifikua në finale për të parën herë që nga viti 1975.
Edhe pse ata e arritën fazën eliminatore si njëra ndër dy skuadrat më të mira të radhitura në pozitën e tretë, Peruja e Ricardo Garecas ishte superiore gjatë kampionatit dhe tani do të përballet me Brazilin në finalen në Maracana të dielën.
Turpërimi i Kilit u kompletua kur Eduardo Vargas e humbi penalltinë, pasi e goditi topin drejt te portieri i Perusë, Pedro Gallese, vetëm disa momente para fundit të ndeshjes.
Një fillim i furishëm bëri që edhe Christian Cueva e edhe Charles Aranguiz të kenë shumë mundësi të mira për të shënuar, por Peruja e ndëshkoi mbrojtjen e paorganizuar të Kilit në minutën e 20-të, përmes Floresit.
Gabriel Arias ishte fajtor për golin e dytë të Perusë, 18 minuta më vonë, të shënuar në stilin “vollej” nga Yotun.
Peruja e humbi Floresin shkaku i një lëndimi në kyçin e këmbës pesë minuta më vonë dhe kjo ndikoi që Kili të tentojë të kthehet në lojë. Megjithatë, ata nuk arritën të shënojnë gol dhe Peruja ia dha Kilit edhe goditjen e fundit afër fundit të ndeshjes. /©Kabllogrami/