Disa yje të ekipit kombëtar të Kosovës kanë zgjedhur rrjetet sociale për ta përkujtuar legjendën e futbollit shqiptar, ish-presidentin e Federatës së Futbollist të Kosovës, Fadil Vokrrin, në njëvjetorin e vdekjes së tij.
Në këtë ditë një vjet më parë, vendi e humbi njeriun më të rëndësishëm në historinë e sportit, atë që me mjeshtrinë e rrallë të diplomacisë sportive e krijoi përfaqësuesen dardane dhe i bindi dy shtëpitë qeverisëse të futbollit botëror dhe evropian, FIFA-n dhe UEFA-n, ta pranojnë Kosovën në foletë e veta dhe duke I lënë me gishta në gojë gjenocid-bërësit serb.
Ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, vdiq mëngjesin e 9 qershorit 2018, si pasojë e një sulmi në zemër.
Qendërmbrojtësi i Dinamo Zagrebit Rrahmani ka shkruar në llogarinë e vet personale në Instagram: “Na mungon”, shkrim të cilit ia ka shoqëruar një figurë pikëlluese.
Mesfushori i Velerengas Shala, në Instagram ka shkruar se gjithmonë do ta bartë në zemër legjendën shqiptare. “Gjithmonë në zemrat tona”.
Ndërsa, mbrojtësi i Standard de Liege Vojvoda ka shkruar: “Një vjet pa legjendën”.
Sot në mesditë, ekipi kombëtar i Kosovës, e nderoi figurën e Vokrrit nga hoteli ku po qëndron në Sofje, para përballjen me Bullgarinë në një ndeshje të rrethit të katërt të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020. /©Kabllogrami/