Në vitin që lamë pas, nga autorët shqiptarë më i kërkuari vazhdon të jetë Ismail Kadare, sidomos pas botimit të veprës më të re “Kur sunduesit grinden”, pasi që lexuesit kosovarë me padurim presin krijime të reja nga Kadare. Derisa nga shkrimtarët ndërkomëtarë, Mathias Enard, Meik Wiking dhe Paulo Coelho ishin tre autorët e huaj më të lexuar nga kosovarët gjatë vitit 2018, me veprat “Busull”, “Hygge” dhe “Alkimisti”.
Kjo bëhet e ditur në bazë të kërkesave që kishin lexuesit në libraritë “Buzuku” e “Dukagjini” dhe Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në kryeqytet. Por ajo që është për t’u përshëndetur është se kultura e leximit të librave në Kosovë është rikthyer, bile trendet janë në rritje të vazhdueshme për këtë instrument univerzal të iluminimit dhe ngritjes së kulturës së një shoqërie.
Ndërkaq jo pak vëmendje morën titujt e rinj, të cilët shumë shpejt gjenden në raftet e librarive në vend, pasi që kërkesa për ta mbetet e madhe.
Në mesin e librave më të kërkuar ishin edhe ata në gjuhën angleze. Derisa lexuesit më të interesuar për librin del të jenë ata të moshës mesatare 25-40 vjet, por pa anashkaluar edhe interesimin e grupmoshave të tjera.
Besian Zeneli nga libraria “Buzuku”, thotë se viti që lamë pas ka pasur prurje të mëdha të titujve. Teksa thotë se është pozitive se si nga viti në vit po rriten kërkesat e qytetarëve për literaturën për fëmijë.
“Mathias Enard me tre romanet e tij, ‘Busull’, ‘Zonë’, dhe ‘Qitje e përsosur’, kanë qenë tre romanet më të kërkuar sa i përket letërsisë. Për të vazhduar më pastaj me ‘Inteligjenca emocionale’ që ka qenë një titull jashtëzakonisht interesant… Nëse vazhdojmë me autorin shqiptar që ka qenë më i kërkuari, padyshim që është Kadare dhe Albatros Rexhaj. Kadare me romanin e fundit ‘Kur sunduesit grindeshin’, po ashtu edhe Albatros Rexhaj me romanin ‘Kthimi’”, tha ai, raporton Kosovapress.
Kurse Iliriana Hasaj nga libraria “Dukagjini”, ka thënë për KosovaPress, se është e vështirë të bëhet një renditje e librave më të kërkuar, pasi që kërkesat e lexuesve kosovarë për librin çdoherë e më shumë po rriten.
Sipas saj, kjo ka bërë që edhe librat në gjuhën angleze, konkretisht titujt e vonshëm, depërtojnë menjëherë tek lexuesit e apasionuar në vend.
“Në gjuhën shqipe e kisha veçuar, ka qenë libri ‘Hygge’, me këshilla se si danezët e bëjnë një jetë më të mirë. Ka qenë libri nga Hetem Ramadani ‘Shëndeti dhe suksesi përmes meditimit’. Tash së voni, edhe pse është botuar tash vonë, jashtëzakonisht shumë ka pasur kërkesë dhe është shitë libri ‘Presidenti është zhdukur’, nga Bill Clinton dhe James Patterson. Ky ishte romani i parë i Bill Clinton-it, sepse ai më parë kishte shkruar biografi dhe është shumë interesant dhe duhet me e cekë që tash vetëm sa është botuar libri ‘Becoming’ nga Michelle Obama, biografia e saj ka qenë e jashtëzakonshme”, tregoi ajo.
Ajo tregon edhe për kërkesat konstante të lexuesve në vend, që nuk i lënë asnjëherë në hije disa autorë dhe vepra, pavarësisht titujve të ri. E ndër më të preferuarit siç thotë ajo, mbeten librat klasik.
Ndërsa sa i përket autorëve shqiptarë, Hasaj thotë se Kadare mbetet i pavdekshëm, me ç’rast rrëfen se si vetëm brenda dy ditëve janë shitur të gjithë ekzemplarët e librit të tij të fundit “Kur sunduesit grinden”.
E drejtori i bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, Munish Hyseni thotë se gjatë vitit që e lamë pas, mbi 100 mijë libra janë tërhequr për lexim nga anëtarët e bibliotekës.
Në një prononcim për KosovaPress, ai thotë se në biblioteka ndër librat më të kërkuar mbeten lekturat shkollore, ndërsa jashtë kësaj, tregon se cilat ishin romanet tjera më të preferuara.
“Tek pjesa e fëmijëve dhe të rinjve, librat më të lexuara janë të Williamsit, është një komplet prej disa vëllimesh. Ndërsa tek të rriturit, po ashtu prinë letërsia e të huajve, apo letërsia botërore siç e quajmë ne, që është Coelho njëri prej më të lexuarve, Dan Brown, dhe ajo që vazhdon me vite të tëra, është Daniel Steel dhe Nicola Sparks. Nga letërsia shqipe, edhe më tutje Ismail Kadare është më i kërkuari. Krahas kësaj, edhe librat e vjetër vazhdojnë të zgjojnë interesim tek lexuesit kosovarë. E ndër ta më i kërkuari mbetet Shekspiri.”, tha ndër të tjera Hyseni. /©Kabllogrami/