PDK-ja shpëtimin e sheh në koalicion me partitë e vogla

Partia Demokratike e Kosovës është deklaruar e gatshme për zgjedhje të reja. Zëvendëskryeministri në detyrë, njëherësh edhe nënkryetari i parë i kësaj partie, Enver Hoxhaj, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se nuk përjashtohen mundësitë që PDK-ja të lidhë koalicion me ndonjë një parti të vogël.

Sipas tij, kjo parti nuk do të qeverisë e vetme pas zgjedhjeve, ata do t’i shikojnë të gjitha mundësitë e lidhjes së koalicionit me secilën parti e cila i përafrohet programit të saj.

Hoxhaj thotë në shumë raste ka qenë Partia Demokratike ajo e cila i ka mundësuar partnerëve të saj të koalicionit që të vijnë në krye të Qeverisë. Madje sipas tij, kjo parti ka qenë ajo e cila ka vendosë gjithmonë se si do dukeshin qeveritë.

Hoxhaj i tha Ekonomia Online se me mandatin e qeverisë Haradinaj, nuk kanë arritur të përfundohen shumë procese, andaj edhe shprehet se meritat për shumë vendime të mëdha të vendit, i ka vetë Partia Demokratike e Kosovës.

“Ne kemi pritur që kjo Qeveri do jetë Qeveri e vendimeve të mëdha dhe mendojmë që përveç vendimeve për ushtri, të cilën PDK-ja ka punuar shumë dhe gjatë dhe demarkimit të kufirit me Malin e Zi, nuk kemi mbërri të i përmbyllim disa nga proceset e mëdha, prandaj kërkojmë kësaj here që të kemi koalicion të madh me qytetarët që PDK-ja të jetë e madhe, që vendimmarrja të jetë edhe më e fuqishme”, tha ai.

93 nënshkrime janë mbledhur për shpërndarjen e Kuvendit. Kjo është bërë e ditur nga Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.

Ai ka thënë se mocioni për seancë të jashtëzakonshme është proceduar në Kuvend.

Seanca për shpërndarjen e Kuvendit do të mbahet më 22 gusht. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment