Kryetari i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, njëherësh ligjvënësi i shquar amerikan, Eliot Engel pritet që sot ta vizitojë Kosovën.
Engel do të marrë pjesë në manifestimet me rastin e ditës së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe përurimin e ndërtesës së ambasadës amerikane në Prishtinë.
Gjatë ditës së djeshme, Engel ka qëndruar në Beograd ku ka takuar edhe presidentin Aleksandër Vuçiq, ndërsa është paralajmëruar edhe një vizitë në Luginën e Preshevës.
Në një njoftim të ambasadës amerikane në Beograd, thuhet se ai bisedoi me presidentin serb lidhur me bisedimet me Kosovën, arritjen e paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjate në Ballkan dhe vënien e drejtësisë për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë.
Ndryshe, Engel njihet si një nga miqtë e mëdhenj të shqiptarëve dhe mbështetës i fuqishëm i zgjidhjes së çështjes së Kosovës. /©Kabllogrami/