Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në takimin që ka mbajtur me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, ka bërë të ditur se Kosova ka qenë e detyruar të vendosë taksë për mallrat e Serbisё dhe B&H, raporton Kabllogrami
Haradinaj dhe komisioneri pёr zgjerim kanë biseduar për një sërë çështjesh, duke përfshirë këtu dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe taksën prej 100%, për të gjitha produktet nga Serbia dhe B&H.
Kryeministri ka bërë të ditur nё takim se Kosova ka qenë e detyruar të ndërmarrë këtë hap, pas pengesave joparimore që i ka bërë dhe vazhdon t’ia bëj Kosovës në vazhdimësi, Serbia.
Me këtë rast, Haradinaj, ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për rrugën e integrimeve evropiane, për prioritetet në sundimin e rendit dhe të ligjit, përmbushjen e prioriteteve që dalin nga MSA, dhe për zhvillimin ekonomik.
Gjatë takimit, Haradinaj ka rikujtuar Hahnin se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e vëna nga Bashkimi Evropian, duke rikërkuar heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. /©Kabllogrami/