Pas 75 viteve gjendet anija e flotës Naziste

Një anije gjermane, pjesë e flotës së zhdukur të Adolf Hitlerit, që u fundos në Detin e Zi gjatë Luftës së Dytë Botërore, është zbuluar. Anija e luftës ‘U-23’ u gjend 40 metra nën sipërfaqen e ujit, rreth 3.7 kilometra larg nga bregu i Agvas, një destinacion turistik popullor rreth 97 km nga Stambolli.

Zbulimi mahnitës u bë gjatë xhirimeve të një dokumentari të prodhuar nga transmetuesi publik turk dhe nga marina e vendit.

Pamjet u morën nga TCG Akin e marinës turke, anije që përdoret për shpëtimin e nëndetëseve, që në mesin e pajisjeve të saj ka një aparat fotografik i cili mund të zhytet deri në 1,000 metra.

ROV kapi pamjet e para të anijes së zhdukur prej 280 tonësh.

Anija ishte pjesë e një flote prej 6 nëndetësesh që lundruan nga Gjermania në Rumani në fillim të luftës, duke bërë që të udhëtonin rreth 2,000 milje nga porti Konstancës në Detin e Zi.

Të gjitha anijet U-18, U-19, U-20, U-21, U-22, U-23 janë pjesë e flotës së humbur të Hitlerit dhe kanë frymëzuar një sërë ekspeditash nënujore për t’i gjetur.

Në vitin 2018, zhytësit gjetën rrënojat e U-20, që ishte pjesë e flotës së dërguar nga Hitleri për të sulmuar anijet luftarake ruse në Detin e Zi./oranews

Comments (0)
Add Comment